Kosovë Lajme

Kosova s’e ndjek botën, nafta shtrenjtohet

    Rënia e çmimeve të naftës në bursat ndërkombëtare, pas armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit nuk është reflektuar as të enjten në Kosovë, përkundrazi, ky çmim po vazhdon të ngrihet dita e ditës.

    Sot çmimi i naftës është 1.91 euro për litër, i benzinës 1.47 euro për litër e i gazit 0.82 euro për litër.

    Këto çmime janë rritur që nga e mërkura. Një ditë më herët, çmimi i naftës ishte dy cent më lirë për litër, pra 1.89 euro. I benzinës ishte 1.46 euro për litër ndërkaq i gazit 0.77 euro për litër.

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se beson që stabilizimi i çmimit të naftës do të vazhdojë në ditët në vijim pas arritjes së marrëveshjes për armëpushim dy javor mes SHBA-së dhe Iranit.

    Kryetari i Shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani përmes një statusi në Faebook të mërkurën ka thënë se armëpushimi ka sjell pak qetësi në tregun e naftës, por sipas tij “ky mund të jetë reagim afatshkurtër”. Tutje ka theksuar se nëse situata mbetet e qetë, çmimet mund të bien gradualisht.