Sport

Muriqi – tmerri i kundërshtarëve dhe lojtari më me ndikim për skuadër në La Liga

    “Muriqi shënoi dhe u shtri, i mposhtur nga përpjekjet dhe emocioni”.

    Kështu e fillon gazeta e madhe spanjolle, Marca, shkrimin për Vedat Muriqin dhe golin e tij të së shtunës që ia siguroi fitoren 2:1 Mallorcas ndaj Real Madridit.

    Goli i Muriqit erdhi në moment vendimtar. Shkrimet për të në mediumet spanjolle janë të shumta.

    “Ai humbi penallti vendimtare në Elche dhe mbeti pa Kupë të Botës, por goli në kohën shtesë, dhe rrjedhimisht vendimtar, ka qartësuar situatën për Mallorcan dhe në një mënyrë ka kompensuar këto dëshpërime. Ai tani ka 19 gola, shifër që e definon si lojtarin më vendimtar dhe më me ndikim për një ekip në gjithë ligën. Magnet për topin dhe për vëmendje, ai është tmerri i kundërshtarëve në çdo ndeshje. Dje e shkatërroi Real Madridin, duke e lënë pa pjesën më të madhe të shpresës në La Liga”, shkruan tutje në komentin e “Marca” të publikuar të dielën.

    Me fitore të siguruar nga Muriqi, Mallorca doli nga zona që dërgon në kategorinë e dytë. Në anën tjetër e largoi Madridin nga gara për titull.

    Muriqi shpërtheu në lot pasi realizoi në minutën e 91-të. Ai pati moment të vështirë pas ndeshjes së Kosovës me Turqinë. Reagoi me koment në një fyerje që i është bërë. Dhe reagimi i tij bëri që të ketë shkrime të shumta për “akuzën se Muriqi ka shitur ndeshjen ndaj Turqisë”.

    Trajneri i Mallorcas, Martin Demichelis, natyrisht foli për Muriqin pas ndeshjes me madrilenët.

    “Kam dashur ta fsheh se sa e dhimbshme ishte humbja nga Elche. Shumë lojtarë u larguan dhe ne nuk kemi mundur të punojmë. Nuk ishim në gjendje të reagojmë shpejt. Secili që e njeh Muriqin nuk ka pasur dyshime se ai do të kthehet fuqishëm. Është emocionuese për shkak të asaj që përjetoi me ekipin nacional dhe ai na dha shumë kënaqësi”, ka thënë Demichelis.

    31-vjeçari Muriqi ka dhënë deklarata që kanë bërë bujë.

    Njëra prej tyre është në titull të një shkrimi të “Marca”.

    “Edhe pse mund të dukem i shëmtuar dhe i ashpër, unë jam gjithashtu njeri dhe emocionet më mposhtin”.

    Është deklarata lidhur me emocionet që ka shfaqur pasi e shënoi golin.

    Dy javët e fundit ishin shumë të vështira, ka shpjeguar Muriqi. Ai ka thënë se paraqitja në Botëror do të ishte realizim i ëndrrës më të madhe të jetës.

    Ai po ashtu deklaroi se fitoren ia kushton “Kosovës, shtetit të tij, Shqipërisë, gjithë shqiptarëve”.

    “Më vjen keq që nuk ia dolëm të kualifikohemi si Kosovë, si Shqipëri. Por shpresoj në Evropian”, tha Muriqi për “DigitAlb”.

    Është deklaratë që jep shumë shpresë për tifozët e Kosovës, sinjal që sulmuesi i pakrahasueshëm “dardan” do të jetë me përfaqësuese të paktën deri në Euro 2028.

    Për Muriqin kanë folur edhe bashkëlojtarët.

    “Muriqi po kalon një sezon spektakolar. Ai është litar shpëtimi për ne. Duhet ta falëndërojmë për punën e tij në fushë, jo vetëm për golat. Është bashkëlojtar që ka dhënë gjithçka”, ka theksuar portieri i Mallorcas, Leo Roman.

    Në futbollin evropian vetëm tre superyje kanë më shumë gola se Muriqi. Harry Kane është i pari me 31 gola. Kylian Mbappe i ka 23 e Erling Haaland 22. Dhe menjëherë pas tyre është kosovari Muriqi.