Maqedoni

Bekim Qoku:: Me VLEN-in zëri i qytetarit dhe i studentit dëgjohet!

    Koordinatori i VLEN-it, Bekim Qoku, vlerëson se qytetari shqiptar te VLEN-i sheh shpresë reale, duke theksuar se edhe kur kërkon apo proteston, gjasat që kërkesat e tij të merren seriozisht dhe të gjejnë zgjidhje janë konkrete.

    Ai thekson se asnjë strukturë politike nuk duhet të qëndrojë në pushtet për dy dekada, pasi sipas tij kjo dëmton demokracinë dhe deformon të vërtetën politike. Qoku kritikon gjithashtu narracionin se gjuha shqipe është zyrtare në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar atë si një narracion të rremë të kultivuar për më shumë se 22 vjet.

    Sipas tij, as në Kushtetutë dhe as në Ligjin për përdorimin e gjuhëve nuk përmendet shprehimisht gjuha shqipe si gjuhë zyrtare, por ajo nënkuptohet përmes përqindjes prej 20 për qind, kategori ku përfshihen edhe gjuhë të tjera të pakicave. Ai thekson se kjo reflektohet edhe në praktikë institucionale, ku dokumentet në shqip janë të vlefshme vetëm nëse shoqërohen me version në maqedonisht.

    Qoku shton se gjuha shqipe mund të përdoret vetëm krahas gjuhës maqedonase dhe nuk mund të prodhohen dokumente zyrtare vetëm në shqip pa përkthim. Sipas tij, ndryshe nga shqipja, gjuha maqedonase mund të përdoret e vetme pa pengesa juridike.

    Ai vlerëson se qytetarët shqiptarë e përjetojnë këtë realitet çdo ditë në institucione, madje edhe në komunat me shumicë shqiptare, duke theksuar se barazia gjuhësore mbetet një iluzion i institucionalizuar për më shumë se dy dekada.

    Në fund, Qoku thekson se dekonstruktimi i këtij perceptimi nuk do të jetë i lehtë dhe se përballja me këtë realitet do të hasë në rezistencë politike dhe shoqërore.