Kosovë Lajme

Konjufca, në takim virtual me mbi 40 ministra të Punëve të Jashtme nga vende të ndryshme të botës – diskutojnë për situatën në Ngushticën e Hormuzit

    Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, mori pjesë në një takim virtual të nivelit të lartë me mbi 40 ministra të punëve të jashtme nga vende të ndryshme të botës, me ftesë të Sekretares së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper, për të diskutuar mbi situatën në Ngushticën e Hormuzit.

    Në postimin e tij në rrjetet sociale, Konjufca theksoi se “liria e lundrimit nuk mund të vihet në pikëpyetje dhe se koridoret ndërkombëtare të tregtisë nuk mund të përdoren si instrument presioni. Mbrojtja e anijeve civile dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare janë parime të panegociueshme”.

    Ai shtoi se Republika e Kosovës dënon fuqishëm sulmet e Iranit që i shkelin këto parime dhe se vendi qëndron në linjë me partnerët për të siguruar që Ngushtica e Hormuzit të rihapet sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt.

    Konjufca theksoi gjithashtu se ndërprerjet në këto rrugë jetike ndikojnë në zinxhirët globalë të furnizimit, çmimet e energjisë dhe stabilitetin ekonomik, duke nënvizuar se veprimi ndërkombëtar është “thelbësor për të garantuar stabilitetin dhe funksionimin normal të këtyre korridoreve strategjike”.

    “Kosova mbetet e palëkundur në mbështetje të partnerëve të saj euroatlantikë dhe në Lindjen e Mesme, për mbrojtjen e lirisë së lundrimit dhe sigurisë ndërkombëtare”, shkroi Ministri i Punëve të Jashtme.