Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 21 civilët e vrarë në masakrën e familjeve Bogujevci, Duriqi, dhe Llugaliu të vitit 1999.
Ai ka vlerësuar sakrificën e tyre si simbol të dhimbjes dhe krenarisë së popullit shqiptar.
Në këtë masakër, e kryer nga njësiti famëkeq serb “Shkorpionët”, u vranë shtatë gra dhe shtatë fëmijë, përfshirë një foshnjë 18-muajshe, ndërsa mbijetuan vetëm pesë dëshmitarë. Kurti theksoi se kujtesa e këtyre viktimave duhet të shërbejë si motiv për drejtësi dhe përballje me krimet e luftës.
“Krahas dhimbjes, sot nderojmë forcën e tyre. Kujtojmë se sa i lartë ishte çmimi i lirisë, dhe se sa e shtrenjtë dhe e shenjtë është ajo. Përkulemi para sakrificës së popullit tonë dhe ngrihemi me zotimin për të mos harruar kurrë”, tha Kurti.
Ai bëri thirrje që institucionet e Kosovës, veçanërisht Prokuroria e Shtetit, të veprojnë me vendosmëri për ngritjen e aktakuzave dhe dënimin e kriminelëve të luftës, duke siguruar se drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre të realizohet plotësisht.
Kurti gjithashtu theksoi rëndësinë e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë dhe ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, të cilat mundësojnë procesimin edhe të kriminelëve që ndodhen jashtë vendit.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për të rënët për liri. E përhershme është përgjegjësia jonë për historinë dhe drejtësinë për të vrarët, dhe për zhvillimin e Republikës sonë! Lavdi!”, përfundon Kryeministri.

