Kosovë Lajme

Haxhiu për çështjen e zgjedhjes së presidentit: Nevojiten diskutime serioze

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se për çështjen e zgjedhjes së presidentit duhet të ketë diskutime serioze .

    Ajo pohoi se nuk e ka mbyllur seancën e 5 marsit, por vetëm e ka ndërprerë.

    “Unë mendoj që kjo çështje i takon niveleve dhe grupeve parlamentare, diskutimeve që do të bëhen në këtë drejtim. Nga ana tjetër, në ditën kur ne kemi pasur përpjekje për ta zgjedhur presidentin e vendit, pra më 5 mars konkretisht, nëse i rikthehemi asaj seance, unë kam thënë në fund që seanca do të vazhdojë kur të plotësohen kushtet për këtë. Pra unë nuk e kam mbyllur seancën, unë e kam ndërprerë atë, sepse natyrisht që ka dallim edhe nëse bazohemi në aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj seanca do të vazhdojë në momentin që do të krijohen kushtet. Deri atëherë nevojiten diskutime serioze, pra jo në aspekte të tilla procedurale, por diskutime serioze nëse duam apo nuk duam përnjëmend ta zgjedhim presidentin. Për faktin se është e rëndësishme që ajo që thuhet në takime të mbyllura të jetë qëndrim real dhe jo vetëm diskutim sa për të thënë. Prandaj në këtë drejtim i ftoj të gjitha subjektet politike që të bëjnë përpjekje maksimale. Kryetari i Vetëvendosjes, kryeministri Kurti ka kërkuar takime me subjektet, ju e dini sepse kjo është bërë publike. Natyrisht që kërkesat për takime do të vazhdojnë, por nga ana tjetër nevojitet edhe vullneti i palës tjetër. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes më së shumti i ka 66 vota, por kjo është e pamjaftueshme për ta zgjedhur presidentin e vendit sepse nevojiten 80 vota në kuti të paktën në dy rundet e para. Në këtë pikë mendoj që është shumë i rëndësishëm kontributi i të gjitha palëve, por kontributi të jetë serioz sepse mendoj që pajtohemi që vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja sepse zgjedhjet sapo i kemi përfunduar, qytetarët kanë folur, kanë dhënë mesazhin e tyre, prandaj kemi shumë punë për të bërë”, tha Haxhiu para medieve.

    Haxhiu, ka folur edhe mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit e cila ëshët thirrë për të hënën e që sipas saj, në do të trajtohen shumë projektligje.

    “Së pari unë kam thirrë një mbledhje të kryesisë së kuvendit për të trajtuar shumë projektligje që ndërlidhen me marrëveshjet ndërkombëtare dhe jo vetëm. Pra, në mbledhjen e kryesisë së kuvendit, për të cilën janë njoftuar edhe mediat, kemi shumë tema të rëndësishme që ndërlidhen me interesat e qytetarëve dhe vetë Republikës së Kosovës. Mendoj që orientimi jonë duhet të jetë në dy drejtime, së pari që t’i adresojmë të gjitha përgjegjësitë që kemi në raport me agjendën legjislative por edhe çështje të tjera, dhe e dyta në drejtim të përpjekjes për arritje të konsensusit për ta zgjedhur presidentin apo presidenten e vendit. Në të dyja drejtimet natyrisht që roli i Kuvendit është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe si kryetare e kuvendit po përpiqem maksimalisht që t’i adresojmë përgjegjësitë që ne i kemi.