Kosovë Lajme

Gërvalla: Kosova duhet të jetë në Këshillin e Evropës

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është vetëm një aspiratë, por domosdoshmëri.

    Këtë ia ka thënë në takimin që ka pasur me shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Mary Ann Hennessey. Gërvalla thotë se Kosova është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

    “Ky përkushtim nuk mbetet në deklarata. Përmes funksionalizimit të Byrosë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, si instrument kyç në luftën kundër korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe krimit të organizuar, garantohet se askush nuk guxon të jetë mbi ligjin, si dhe përmes zbatimit të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, që synon institucione më të forta dhe besim më të madh qytetar”, tha ajo.

    Në të njëjtën kohë, thotë Gërvalla, trajtimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore mbetet prioritet i pakompromis, që kërkon reagim të koordinuar dhe veprim të qëndrueshëm institucional.

    “Republika e Kosovës jo vetëm që përmbush standardet e Këshillit të Evropës, por qëndron si dëshmi e gjallë e vlerave që kjo organizatë mbron. Për këtë arsye, vendi meritor i Republikës sonë në këtë organizatë nuk duhet të vonohet më”, thotë ministrja e Drejtësisë.