Sport

Lista e Kombëtares, Silvinjo: Muçi dhe Mehmeti janë lojtarë që sulmojnë dhe e gjejnë portën

    Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Silvinjo, pas shpalljes së listës me 26 lojtarë për fazën play-off të Kupës së Botës 2026, dha një konferencë për mediat.

    Silvinjo fillimisht foli mbi dy risitë e reja Pilo dhe Pllana, por edhe për rikthimet e bujshme të Ernest Muçit dhe Anis Mehmetit në kombëtare.

    “Mua si trajner nuk më pëlqen të qaj apo të ankohem. Rei Manaj është një futbollist emblematik për skuadrën tonë, për FSHF-në dhe për të gjithë vendin, por duhet të përshtatemi me situatën dhe duhet të shikojmë edhe lojtarët e tjerë.

    Është dhe një lojtar tjetër, Daku, që nuk ka luajtur që në 2025, por na është dashur të rimendojmë dhe rivlerësojmë dhe kemi lojtarë të tjerë. Jam i lumtur me të gjithë lojtarët që i përkasin listës.

    Ndërkohë, përsa i përket Pllanës dhe Pilios, janë lojtarë që prej kohësh kemi qenë pas tyre, i kemi analizuar dhe kemi hapësirën që t’i shikojmë dhe t’i vlerësojmë cilësitë e tyre. Pilo është gati. Pllana? Kishim mungesë të një mbrojtësi qendre. Pllana e njeh ligën polake. Duhet të shikojmë çfarë mund të bëjë dhe cilat janë aftësitë e tij. Mund të shkonim me 23 lojtarë, por duke qenë që është një ndeshje e rëndësishme, na duheshin alternativa

    Për këtë arsye kemi grumbulluar 26 lojtarë, që të kemi mundësi të bëjmë këto vlerësime dhe të shohim se cilët lojtarë janë të përshtatshëm. Duhet të shkojmë përpara, unë kam besim te lojtarët që kam zgjedhur. Duhet të përshtatemi me situatën që kemi.

    Përsa i përket Muçit, unë e shikoj si sulmues, por në fushë është një lojtar që shënon. Mehmeti është një lojtar që e kemi sjellë tre vite dhe është rritur shumë, e shikoj si sulmues krahu. Të dy janë lojtarë që e gjejnë portën, sulmojnë.

    Sulmuesi që ka shënuar më shumë gola në këto tre vite me Kombëtaren është Nedim Bajrami, i cili ka shënuar shtatë gola, pas tij vjen Asani me gjashtë dhe Kristjan Asllani me katër. Por praktikisht nuk duhet të mendojmë se duhet të kemi një lojtar tipik numër 9 si Manaj, por kemi edhe lojtarë të tjerë si Mehmeti, Uzuni, Bajrami”, u shpreh Silvinjo.