Gjatë fluturimit të tij për t’u kthyer në Washington, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump tha se ka biseduar me rreth shtatë vende për të ndihmuar në hapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Trumpi e përmendi Kinën si një nga këto vende, duke theksuar se ajo varet shumë nga dërgesat e naftës që kalojnë nëpër këtë rrugë ujore.
Megjithëse nuk përmendi vende të tjera me të cilat kishte kontaktuar, ai bëri referenca te aleanca e NATO-s si dhe vende të tjera që sipas tij duhet ta “mbrojnë territorin e tyre”.
Më herët ai i tha gazetës “Financial Times” se është krejtësisht e përshtatshme që vendet që përfitojnë nga Ngushtica e Hormuzit të ndihmojnë në rihapjen e saj.
Trumpi paralajmëroi se nëse nuk ka reagim nga vendet tjera, kjo mund të jetë shenjë e keqe për të ardhmen e NATO-s, duke shtuar se SHBA-ja ka qenë “shumë e sjellshme” me aleatët e saj evropianë.
“Ne nuk ishim të detyruar t’i ndihmonim në Ukrainë. Ukraina është mijëra milje larg nesh. Por ne ndihmuam. Tani do të shohim nëse ata do të na ndihmojnë ne. Sepse prej kohësh kam thënë se ne do të jemi aty për ta, por ata nuk do të jenë aty për ne, dhe nuk jam i sigurt nëse vërtetë do të jenë”, ka thënë ai.

