PRISHTINË – Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në Prishtinë përfaqësues të Këshillit Drejtues të Lëvizjes Arbëria, në një takim ku u diskutua për zhvillimet aktuale politike dhe bashkëpunimin ndërshqiptar.
Në takim morën pjesë anëtarët e Këshillit Drejtues të kësaj lëvizjeje, Meral Ferati, Bekim Fazliu dhe Azem Dehari, të cilët e uruan Haxhiun për zgjedhjen e saj në krye të Kuvendit të Kosovës, duke i dëshiruar suksese në ushtrimin e detyrës dhe në përmbushjen e përgjegjësive institucionale në shërbim të qytetarëve dhe të forcimit të institucioneve demokratike.
Gjatë bisedës u trajtuan zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe në rajon, si dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet faktorëve politikë shqiptarë për forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e proceseve politike me interes të përbashkët.
Përfaqësuesit e Lëvizjes Arbëria theksuan nevojën për koordinim më të madh politik dhe institucional në çështje me interes kombëtar, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërshqiptar në të gjitha nivelet.
Në përfundim të takimit, palët u dakorduan që komunikimi dhe bashkëpunimi të vazhdojë edhe në të ardhmen për çështje me interes të përbashkët.

