Kosovë Lajme

Kryetarja Albulena Haxhiu për zgjedhjen e presidentit nga populli: I bashkohem thirrjes së Osmanit për votimin e këtyre amendamenteve

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka pranuar amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani.

    Sipas saj, amendamentet kushtetuese parashohin që Presidenti/Presidentja e Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

    Ajo theksoi se në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre.

    Haxhiu gjithashtu u shpreh se i bashkohet thirrjes së presidentes për votimin e këtyre amendamenteve.

    Më herët, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani njoftoi se ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të presidentit.