Shqipëri

Rama mbështet SHBA-në e Izraelin: Garda Revolucionare është organizatë terroriste

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dhënë mbështetje SHBA-së dhe Izraelit për sulmin kundër Iranit të shtunën.

    Ai ka thënë se Shqipëria mbështet “plotësisht çdo përpjekje vendimtare për të parandaluar një herë e përgjithmonë vrasësit në Teheran nga përvetësimi i kapacitetit bërthamor ose çdo kapaciteti tjetër ushtarak për të dëmtuar Izraelin ose ndonjë komb tjetër paqedashës në Lindjen e Mesme”.

    Rama ka shtuar se Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike duhet të emërtohet dhe trajtohet si organizatë terroriste.

    “Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike është një organizatë terroriste dhe duhet të trajtohet si e tillë. Jo vetëm përmes sanksioneve kundër Republikës Khomeiniste, por duke e quajtur zyrtarisht me emrin e saj të vërtetë dhe duke e listuar atë midis organizatave terroriste, siç kanë bërë tashmë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja”, ka shkruar ai në X.

    Rama ka thënë se edhe Shqipëria do të veprojë në përputhje me rrethanat dhe do ta rendisë Gardën Revolucionare në mesin e organizatave terroriste.

    “Shqipëria është përballur drejtpërdrejt me fytyrën barbare të regjimit të Teheranit përmes agresioneve të tij kibernetike kundër vendit tonë. Për ne, kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është siguri kombëtare, qartësi morale dhe ligjore”, ka theksuar Rama.