Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, ka publikuar një sërë fotografish pas takimit me Iniciativën “Të gjithë për luftëtarin”.
Takimi është zhvilluar në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë.
Këtë përmbledhje fotografish, deputeti socialist e quajti “Fotot e ditës: Liria ka emër”.
Në këtë takim morën pjesë rreth 20 ish-luftëtarë, të veshur në uniforma të UÇK-së.
Me këtë rast, u vu theksi te çështja e ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët tash e mbi pesë vjet po mbahen në paraburgim në Hagë.
Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Pllashniku, tha për KosovaPress se kjo vizitë është një mesazh uniteti dhe qëndrueshmërie në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.
Përfaqësuesit e Iniciativës “Të gjithë për luftëtarin” shprehën qëndrimin e tyre lidhur me këtë proces dhe nevojën për drejtësi.
Po ashtu, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për mbështetjen e dhënë dhe rezolutës kundër Gjykatës Speciale në Hagë, Iniciativa “Të gjithë për luftëtarin” e nderoi me një mirënjohje Kuvendin e Shqipërisë.


