Botë Lajme

Katër vjet nga nisja e pushtimit rus, liderët e BE-së në Kiev: “Fati i Ukrainës është fati ynë”

    Zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian mbërritën sot në Kiev për të shënuar katërvjetorin e pushtimit rus në shkallë të plotë në Ukrainë dhe për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të bllokut ndaj vendit të shkatërruar nga lufta.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, deklaruan se vizita e tyre ishte një dëshmi e mbështetjes së qëndrueshme të Evropës.

    Në një postim në platformën X, menjëherë pas mbërritjes, Von der Leyen theksoi se Evropa qëndronte e palëkundur me Ukrainën, financiarisht, ushtarakisht dhe gjatë këtij dimri të ashpër.

    Ndërsa Costa vlerësoi guximin dhe vendosmërinë e popullit ukrainas, i cili, sipas tij, ka përballuar katër vite të tmerrshme, ka zmbrapsur forcat ruse drejt lindjes së vendit dhe vazhdon të mbrojë vijën e frontit me guxim të jashtëzakonshëm.

    Ai përgëzoi gjithashtu përparimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    “Është mbresëlënëse se si një vend në luftë po arrin të realizojë reformat e nevojshme për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit”, tha Costa.

    Megjithatë, Hungaria dhe Sllovakia kanë refuzuar të miratojnë paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë.

    Hungaria vuri gjithashtu veton ndaj një plani të BE-së për ndihmë financiare kyçe për Ukrainën, me një vlerë totale prej 90 miliardë eurosh, nga të cilat 60 miliardë euro do të dedikoheshin posaçërisht për mbrojtjen e vendit ndaj agresionit rus.

    Budapesti dhe Bratislava thanë se qëndrimi i tyre ishte nxitur nga ndërprerja e furnizimeve ruse me naftë përmes tubacionit “Druzhba”, që kalon përmes Ukrainës.

    Ato akuzojnë Kievin për bllokim të qëllimshëm të tubacionit për arsye politike. Zyrtarët ukrainas, nga ana tjetër, thanë se ndërprerja e furnizimeve që nga fundi i janarit ishte pasojë e bombardimeve ruse.

    Si alternativë, pritet të shpallet vetëm një paketë emergjente prej 100 milionë eurosh për infrastrukturën energjetike të Ukrainës, e cila, sipas zyrtarëve të BE-së, mund të miratohet pa mbështetjen e Hungarisë.

    Costa kritikoi drejtpërdrejt Hungarinë për bllokimin e ndihmës financiare, duke e cilësuar “plotësisht të papranueshme” që një shtet anëtar të mos respektojë marrëveshjet e arritura në kuadër të Këshillit Evropian.

    Gjatë qëndrimit në Kiev, Von der Leyen dhe Costa do të marrin pjesë në një ceremoni përkujtimore, do të vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga sulmet ajrore ruse dhe do të zhvillojnë bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    Evropa shënon përvjetorin e katërt të luftës në Ukrainë

    Në kuadër të përvjetorit të katërt të luftës në Ukrainë, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer organizuan një videokonferencë të “Koalicionit të të Gatshmëve”, një grup prej mbi 30 vendesh që kanë premtuar mbështetje të fortë për Ukrainën.

    Zyrtarë të lartë të BE-së të mbledhur në Kiev synojnë gjithashtu t’i bashkohen konferencës.

    Në Gjermani, presidenti Frank-Walter Steinmeier dhe ministri i Jashtëm Johann Wadephul do ta përkujtojnë luftën dhe mijëra viktimat në një meshë për paqen në Katedralen Franceze në Berlin.

    Në mbrëmje pritet të mbahet një tubim solidariteti për Ukrainën pranë Portës së Brandenburgut, ndërsa aktivitete të ngjashme do të zhvillohen edhe në Bremen, Shtutgart, Mynih dhe Këln.

    Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje për unitet evropian, duke theksuar se vetëm forca e përbashkët mund t’i japë fund luftës.

    “Për katër vite, çdo ditë dhe çdo natë ka qenë një makth për popullin e Ukrainës. Dhe jo vetëm për ta, por për të gjithë ne. Sepse lufta është rikthyer në Evropë”, shkroi Merz në X.

    “Vetëm me forcë të përbashkët do t’i japim fund asaj. Fati i Ukrainës është fati ynë”, shtoi ai.