Botë Lajme

Qëllohet për vdekje një burrë që iu afrua rezidencës së Trumpit

    Shërbimi Sekret i SHBA-së ka njoftuar të dielën se një burrë i armatosur është qëlluar dhe është vrarë pasi kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë të Mar-a-Lago, resortit të presidentit Donald Trump në Palm Beach, Florida.

    Edhe pse Trumpi zakonisht kalon fundjavët në resortin e tij, ai ndodhej në Shtëpinë e Bardhë gjatë këtij incidenti. Zonja e Parë, Melania Trump, ishte gjithashtu me presidentin në Shtëpinë e Bardhë të shtunën në mbrëmje.

    Emri i personit që është qëlluar nuk është bërë publik. Sipas Shërbimit Sekret, ai “ishte vërejtur pranë portës veriore të pronës së Mar-a-Lago duke mbajtur atë që dukej si një pushkë dhe një bidon me karburant”.

    Trump ka përballuar kërcënime ndaj jetës së tij më parë. Ai është plagosur gjatë një tentative atentati derisa po fliste në një tubim fushate në Butler, Pensilvani, më 13 korrik 2024.

    Më pas, më 15 shtator 2024, një burrë me një pushkë u kap pasi po priste pranë fushës së golfit të Trumpit në West Palm Beach, ndërsa presidenti po luante. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm në fillim të këtij muaji.

    Sherifi i Qarkut Palm Beach, Rick Bradshaw ka thënë se sigurimi kishte zbuluar se një burrë kishte hyrë në perimetrin e brendshëm të Mar-a-Lago në orën 01:30 sipas orës lokale.

    Sipas tij, burri kishte një pushkë dhe po ashtu një bidon gazi.

    Ai ka shpjeguar më pas se sigurimi e kishte urdhëruar burrin t’i lëshonte ato. Mirëpo ai e kishte lëshuar bidonin, teksa pushkën e kishte ngritur në pozicion qitjeje.

    “Në atë moment, agjentët qëlluan me armë për të neutralizuar kërcënimin”, ka thënë Bradshaw.

    Identiteti i të vrarit nuk është bërë i ditur.