Koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN, Bekim Qoku, ka njoftuar se në seancën e sotme të Kuvendit është miratuar propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për ndërtimet pa leje.
Sipas tij, me ndryshimet e reja zgjatet për pesë vjet afati për përfundimin e procedurave të legalizimit, nga 3 marsi 2026 deri më 3 mars 2031. Ai ka theksuar se zgjatja e afatit nuk krijon mundësi për paraqitjen e kërkesave të reja, por ka për qëllim ekskluzivisht përmbylljen e rasteve tashmë të iniciuara në përputhje me ligjin ekzistues.
Qoku ka sqaruar se vendimi është marrë për shkak të numrit të madh të kërkesave të paraqitura në komuna dhe pamundësisë që të gjitha procedurat administrative të përfundojnë brenda afatit aktual. Sipas tij, zgjatja do t’u mundësojë komunave, si organe kompetente, të përfundojnë procedurat në zhvillim dhe të miratojnë akte administrative të plotfuqishme, duke garantuar siguri juridike për qytetarët.
Ai ka bërë të ditur se ndryshimi i ligjit do të hyjë në fuqi në ditën e publikimit në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, me qëllim shmangien e çdo vakumi juridik pas 3 marsit 2026./press7.tv

