Lajme Maqedoni

Qoku i drejtohet Vuçiçit: Koha kur Beogradi vendoste për Maqedoninë ka përfunduar

    Shkup, – Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave fyese të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në drejtim të zëvendëssekretares së NATO-s dhe ish-ministres së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska.

    Në një status të publikuar në Facebook, Qoku thekson se, si deputet i një shteti anëtar të NATO-s, ndihet i obliguar t’i dënojë dy herë fjalët ofenduese të Vuçiqit, duke i cilësuar ato si sulme personale, denigruese dhe me insinuata shoviniste, të cilat nuk kanë vend në komunikimin politik të një presidenti shteti.

    Sipas tij, kjo gjuhë synon denigrimin njerëzor dhe gjinor dhe përfaqëson një tendencë për prapakthim në aspektin qytetërimor e demokratik të rajonit, duke rikujtuar kohëra kur agresionet dhe brutalitetet ndaj fqinjëve mund të kryheshin pa u ndëshkuar.

    Qoku nënvizon se në një periudhë kur siguria në Evropë nuk merret më si e mirëqenë, është e domosdoshme që shtetet fqinjë të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes. Në këtë kontekst, ai sqaron se deklarata e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nuk është pakt kundër askujt, por investim për më shumë koordinim në frymën e standardeve euroatlantike.

    Ai thekson se aleancat e ndërtuara mbi vlerat e NATO-s nuk përbëjnë kërcënim për askënd që nuk ka synime destabilizuese, por janë garanci për paqen dhe sigurinë e qytetarëve të rajonit. Sipas Qokut, NATO mbetet faktori më i madh i paqes në Ballkan dhe falë saj Kosova sot është e sigurt, ndërsa rajoni nuk kthehet më në vitet e ’90-ta.

    Në reagimin e tij, Qoku vë në pah se Serbia e udhëhequr nga Vuçiqi, ashtu si edhe ajo e Millosheviqit dikur, nuk e dëshiron Maqedoninë e Veriut në NATO, por thekson se kjo çështje nuk varet më nga Beogradi.

    Ai gjithashtu e konsideron të palogjikshme që Vuçiq të japë leksione për stabilitet, përderisa, sipas tij, vazhdon të mbajë nën mbrojtje politike persona të lidhur me sulme terroriste, si Millan Radojçiq./press7.tv