Sport

Shpërthimi i Korenicës në Rumani, katër gola në pesë ndeshjet e fundit

    Katër gola në pesë ndeshjet e fundit. Meriton Korenica po kalon momentin më të mirë në karrierë. Të paktën sa i përket efikasitetit, përkatësisht shënimit të golave.

    Reprezentuesi i Kosovës është bërë vendimtar te skuadra rumune, CFR Cluj. Ai shënoi rresht ndaj FCSB-së, Metalglobus Bukureshtit dhe UTA Aradit. Pasi “pauzoi” nga goli në një ndeshje, realizoi edhe në ndeshjen për Kupë ndaj Rapid Bukureshtit, të martën.

    “Po kaloj periudhë shumë të mirë dhe natyrisht se jam i kënaqur me golat. Ndoshta për nga statistikat është një nga momentet më të mira në karrierën time, sidomos sa i përket realizimit. Por për mua e rëndësishme është vazhdimësia dhe kontributi për ekipin”, ka thënë Korenica për KOHËN.

    29-vjeçari këtë edicion i ka shtatë gola e dy asistime në 25 paraqitje kampionale në Rumani. Në të gjitha garat ka dhjetë gola e shtatë asistime në 35 paraqitje.

    Për Korenicën është edicioni i dytë te Cluji në Rumani. Edicionin e parë po ashtu e kishte të suksesshëm. Por tani po kalon moment shumë pozitiv.

    “Mendoj që arsyeja kryesore është puna e vazhdueshme dhe besimi që kam nga trajneri dhe nga klubi në përgjithësi. Kur ndihesh i vlerësuar dhe ke mbështetjen e plotë të klubit, është më e lehtë të japësh maksimumin dhe të jesh efikas në fushë”, ka theksuar Korenica.

    Ai ka treguar se po luan në disa pozita në fazën ofenzive. Korenica thotë se është i gatshëm të paraqitet aty ku trajneri mendon se ai mund ta ndihmojë më së shumti ekipin.

    Futbollisti nga Rahoveci i ka gjashtë paraqitje për Kosovën. Në kualifikimet e fundit ishte ftuar në katër ndeshjet e para, ndërsa në dy të fundit jo.

    Por me formën aktuale do të jetë kandidat i fortë për ftesë, ndonëse konkurrenca në fazën ofenzive vlerësohet shumë e madhe.

    “Forma që po e kaloj është shumë e rëndësishme në prag të ndeshjeve vendimtare të Kosovës, që janë në mars. Kur je në formë të mirë me klubin e ndien vetëbesimin edhe në Kombëtare. Shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm dhe ta ndihmoj Kosovën në ndeshjet që na presin”, ka theksuar Korenica. Ai karrierë ka bërë edhe te Ballkani i Suharekës, Manisa në Turqi, Prishtina, Liria e Prizrenit, Metalurgu i Shkupit dhe Shkëndija e Tetovës.

    Në janar ka pasur raportime të shumta që mund të transferohet në MLS të SHBA-së. Por vazhdon të jetë te Cluji rumun, me të cilin klub ka kontratë deri në qershor të vitit 2027.

    “Ka disa opsione por gjithçka duhet të diskutohet bashkë me klubin, për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të dyja palët pasi kam ende kontratë. Aktualisht jam plotësisht i fokusuar te ndeshjet dhe performanca ime në fushë. Gjithçka tjetër do të trajtohet në momentin e duhur dhe në mënyrë profesionale”, ka thënë Meriton Korenica.

    Ai është njëri prej lojtarëve që siguroi tranferim nga futbolli kosovar në elitën rumune. Dhe është prej më të suksesshmëve.