Kosovë Lajme

Albulena Haxhiu, kryeparlamentare e re e Kosovës

    Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës për legjislaturën e dhjetë. Ajo të mërkurën mori 66 vota për, ndërsa 44 ishin kundër. 8 abstenuan.

    Për dallim që tash bëhet kryeparlamentare në tentimin e parë, në legjislaturën e nëntë ajo nuk arriti të merrte shumicën në disa tentime.

    Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Albulena Haxhiu ishte gruaja më e votuara për deputete. Ajo mori më shumë se 174 mijë vota.

    Para se të bëhet kryetare e Kuvendit, Haxhiu ka qenë edhe ministre e Drejtësisë për katër vjet.

    Biografia e kryetares së re të Kuvendit

    Albulena Haxhiu ka lindur në Prishtinë, më 11 maj 1987, ku edhe jeton me familjen e saj. Është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve.

    Ajo përfundoi studimet në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Prishtinës për të vazhduar me studime pasuniversitare në Universitetin e Evropës Juglindore, në të drejtën penale.

    Aktivitetin e saj politik e ka filluar në shtator të vitit 2010, duke u anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje. Më 2013, ajo u bë deputete në radhët e VV-së. Haxhiu arriti të rizgjedhej deputete edhe në legjislaturat pasuese.

    Në legjislaturën e pestë dhe të gjashtë, ka udhëhequr Komisionin për Legjislacion, dhe nënkomisionin për mandate, imunitete dhe rregullore të Kuvendit.

    Në zgjedhjet e vitit 2019, VV-ja fitoi zgjedhjet parlamentare, me ç’rast në Qeverinë Kurti I, Albulena Haxhiu u emërua ministre e Drejtësisë.

    Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, Haxhiu u emërua sërish ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti II. Pozitën e mbajti deri në shkurt 2025, kur u zgjodh deputete dhe u propozua për kryeparlamentare.

    “Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”, shkruan në tekstin e Betimit.

    Ajo në fund u nënshkrua nga deputetët.

    Tani do të procedohet me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve në dy pikat e fundit të rendit të ditës.

    Janë verifikuar mandatet e deputetëve të rinj të Kuvendit të Kosovës.

    Tani pritet të procedohet me betimin dhe pikat tjera të rendit të ditës së seancës konstituive.

    Ky verifikim u bë me votimin e 118 deputetëve të pranishëm.