Sport

Tjetër e arritur e rëndësishme, Distria më e ranguara prej të gjithë xhudistëve në botë

    Pas përfundimit të Grand Slamit të Parisit, është përditësuar renditja botërore e xhudistëve.
    Në renditjen e publikuar të hënën, e para prej të gjithë xhudistëve dhe xhudisteve në botë është Distria Krasniqi.

    Xhudistja kosovare udhëheqë në renditje me 6510 pikë. E dyta është xhudistja gjermane, Anna Monta Olek me 6460 pikë.

    Kroatja Lara Cvjetko është e treta me 6250 pikë. Xhudisti më i ranguar është japonezi Sanshiro Murao, por që ka pikë më pak se tri xhudistet e para. Murao ka 6120 pikë gjithsej.

    Pikët për ranglistë mblidhen me sukses nëpër gara.

    Distria të shtunën e fitoi të artën në Grand Slamin e Parisit. U shpall kampione në kategorinë deri 52 kilogramë. Për atë sukses mori plot 1000 pikë në renditje.

    Edhe më herët Distria Krasniqi, të paktën në dy raste, ishte më e ranguara në botë prej të gjithë xhudistëve e xhudisteve.

    Por në publikimin e fundit para Grand Slamit të Parisit ishte vetëm e shtata në renditjen e përgjithshme me 5510 pikë.

    Sa i takon kategorisë deri 52 kilogramë, Distria ka bërë shkëputje të madhe nga xhudistet e tjera. Gjermania Mascha Ballhaus është e dyta me 5771 pikë. Japonezja Uta Abe renditet e treta me 4676 pikë.

    Pas dy fitoreve në Paris, Fationa Kasapi ka përparuar për plot 88 pozita në ranglistën e kategorisë deri 52 kilogramë. Dhe tani është e 101-ta me 310 pikë.

    Laura Fazliu ka rënë për tri pozita në kategorinë deri 63 kilogramë dhe tani është jashtë dhjetëshes së parë. Renditet e 12-ta me 3080 pikë. Laura u ndal herët në Paris.

    Akil Gjakova është i 25-ti në kategorinë deri 73 kilogramë. Ka avancuar për dy pozita.

    Falë një fitoreje në Paris, Erza Muminoviq ka përparuar për 60 pozita në kategorinë deri 48 kilogramë. Tani është e 108-ta.

    Flaka Loxha ka humbur një pozitë në kategorinë deri 57 kilogramë dhe tani është e 45-ta.

    Distria Krasniqi është në seri të jashtëzakonshme të sukseseve. Ka kohë që nuk i ndahet podiumit në secilën garë që merr pjesën. Në Grand Slamin e Parisit tashmë i ka plot nëntë medalje, prej tyre katër të arta. Ajo ishte e pandalshme të shtunën, kurse finalen ndaj spanjolles Ariane Toro Soler e fitoi për vetëm 27 sekonda.