Bekim Fazliu nga Lëvizja Arberia, pjesë e koalicionit VLEN ka reaguar ashpër për çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke akuzuar BDI-në për dështim shumëvjeçar, pavarësisht se ka pasur shtatë ministra shqiptarë të Drejtësisë dhe madje edhe një “tekno-kryeministër”, përcjell Zyrtare.net
Në një postim në Facebook, Fazliu thekson se padrejtësia ndaj studentëve shqiptarë nuk u zgjidh për vite me radhë nga BDI-ja, ndërsa tani, sipas tij, opozita tenton ta paraqesë veten si zgjidhëse të problemit. “Seriozisht mendoni se u zgjidh prej opozite?”, shkruan Fazliu, duke e quajtur këtë pretendim të pavërtetë.
Ai rendit disa nga veprimet që i cilëson si “aktivitetet madhore” të opozitës gjatë dy viteve të fundit, përfshirë votimin e ligjit për organizimin e qeverisë, seanca simbolike në Kuvend, përkulje simbolike te varri i Goce Dellçevit, lista të zeza dhe rezoluta për shtetin unitar.
Sipas Fazliut, zgjidhja reale e çështjes së provimit të jurisprudencës erdhi nga VLEN, duke e krahasuar këtë me zgjidhjen e mëhershme të çështjes së Medresesë “Isa Beu”. Në fund të reagimit, ai ironizon opozitën, duke thënë se duhet të “pranojë gjendjen e vet” dhe të mos përvetësojë merita që nuk i takojnë./Press7.tv/

