Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka vlerësuar arritjen e Kosovës në plejofin për Kupën e Botës qe këtë vit mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Ai po ashtu ka vlerësuar edhe arritjen e Dritës në plejofin e fazës nokaut të Ligës së Konferencës. Sipas tij këto dy arritje dëshmojnë zhvillimin e madh të futbollit të Kosovës.
“Paraqitjet e Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2026 dhe pjesëmarrja në plejof dëshmojnë zhvillim të madh. Po ashtu, sukseset e FC Drita në UEFA Europa Conference League janë tregues i progresit të klubeve kosovare në arenën ndërkombëtare”, tha Duka në fjalimin e tij gjatë Kuvendit Zgjedhor të FFK-së që u mbajt të enjten në Prishtinë.
Agim Ademi u rizgjedh për herë të tretë rresht si kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës. Ai po ashtu tha se marrëdhënia e FFK-së me UEFA-n është konstruktive dhe e qëndrueshme.
“FFK ka dëshmuar përkushtim ndaj forcimit institucional dhe zhvillimit afatgjatë të futbollit. Përdorimi efektiv i fondeve të programit ‘Hat-Trick’, veçanërisht për ndërtimin e fushave dhe objekteve stërvitore, ka pasur ndikim të madh në përmirësimin e kushteve dhe zhvillimin e futbollit të bazës në Kosovë”, tha Duka.
Duka është njëri prej zëvendëspresidentëve të UEFA-s.

