Botë Lajme

Shtatë skenarë se çfarë mund të ndodhë nëse SHBA-ja sulmon Iranin

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës duken se janë gati ta sulmojnë Iranin brenda ditësh.

    Edhe pse caqet potenciale janë kryesisht të parashikueshme, rezultati nuk është.

    Kështu që, nëse një marrëveshje në minutën e fundit nuk arrihet me Teheranin dhe presidenti Donald Trump vendos t’i urdhërojë forcat amerikanë të sulmojnë, atëherë cilat mund të jenë rezultatet e mundshme?

    1. Sulme të shënjestruara, viktima civile minimale, një tranzicion drejt demokracisë

    Forcat ajrore dhe detare të SHBA-së kryejnë sulme të kufizuara por precize me shënjestër bazat ushtarakë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe njësisë Basij – një forcë paramilitare nën kontrollin e Gardës – zonat e lëshimit dhe ruajtjes së raketave balistike, si dhe programin bërthamor të Iranit.

    Regjimi rrëzohet, duke kaluar në tranzicion drejt demokracisë ku Irani mund t’i bashkohet pjesës tjetër të botës.

    Ky është një skenar. Ndërhyrja ushtarake perëndimore në Irak dhe Libi nuk solli tranzicion të qetë drejt demokracisë. Edhe pse i dha fund diktaturave brutale në të dyja rastet, ajo solli vite kaosi dhe gjakderdhjeje.

    2. Regjimi mbijeton por i zbut politikat e tij

    Kjo mund të quhet si “modeli venezuelas”, ku veprimi i shpejtë dhe i fuqishëm i SHBA-së e lë regjimin të paprekur, por me politika të moderuara.

    Në rastin e Iranit, kjo nënkupton se Republika Islamike mbijeton, që nuk do të kënaqte një shumicë iranianësh, por është e detyruar të kufizojë mbështetjen për milicitë e dhunshme në tërë Lindjen e Mesme, të kufizojë programet bërthamore dhe raketave balistike si dhe të pushojë shtypjen ndaj protestave.

    Megjithatë, ky skenar është më i pamunduri.

    Lidershipi i Republikës Islamike ka qenë i qëndrueshëm ndaj ndryshimit për 47 vjet. Duket e paaftë që të ndryshojë kurs tani.

    3. Regjimi bie, zëvendësohet nga pushteti ushtarak

    Shumë mendojnë se ky është skenari më i mundshëm.

    Arsyeja kryesore pse protestat kanë dështuar deri tash ta rrëzojnë regjimin është sepse nuk ka pasur dezertime nga ana e tij, derisa ata që kanë kontrollin janë të përgatitur të përdorin forcë të pakufizuar për të mbetur në pushtet.

    Kështu që, pas ndonjë sulmi të SHBA-së, është e mundshme që Irani të përfundojë duke u udhëhequr nga një qeveri ushtarake e përbërë kryesisht nga figura të Gardës Revolucionare.

    4. Irani hakmerret duke sulmuar forcat amerikane dhe fqinje

    Irani është zotuar të hakmerret ndaj SHBA-së në rast sulmi.

    Është e qartë se nuk matet me forcat amerikane, megjithatë mund të lëshojë arsenalin e tij të raketave balistike dhe dronët.

    Irani mund të shënjestrojë infrastrukturën kritike të çfarëdo vendi që e konsideron bashkëpunëtore në sulmet e SHBA-së, për shembull Jordanisë.

    5. Irani hakmerret duke vendosur mina në Gjirin Persik

    Ky ka qenë një kërcënim potencial për transportin detar global dhe furnizimet me naftë që nga lufta Iran-Irak e viteve 1980-88, kur Irani vendosi mina në korridoret e transportit detar.

    Irani ka kryer stërvitje në vendosjen e shpejtë të minave detare. Nëse e bën këtë, padyshim se do të kishte ndikim në tregun botëror dhe çmimet e naftës.

    6. Irani hakmerret duke fundosur një luftanije amerikane

    Në këtë rast, Irani lëshon aq shumë dronë shpërthyes në disa objektiva sa edhe mbrojtja e fuqishme e Marinës amerikane nuk do të ishte në gjendje t’i eliminonte në kohë.

    Fundosja e një luftanije amerikane, e pastaj kapja e të mbijetuarve nga ekipi aty, do të ishte poshtërim i madh për SHBA-në.

    Edhe pse ky skenar duket tepër i pamundur, shkatërruesi miliarda dollarësh USS Cole qe shkatërruar nga sulmi vetëvrasës i Al-Qaedas më 2000 duke vrarë 17 pjesëtarë amerikanë.

    7. Regjimi rrëzohet, duke u zëvendësuar nga kaosi

    Ky është rrezik i vërtetë dhe një nga shqetësimet kryesore të fqinjve si Katari dhe Arabia Saudite.

    Ashtu si mundësia e luftës civile, ka rrezik se në kaos dhe konfuzion tensionet etnike të çojnë në konflikt të armatosur derisa kurdët, komuniteti Baluchi dhe të tjerë duan të mbrojnë njerëzit e tyre mes një vakumi të pushtetit.

    Askush nuk do të donte të shihte shtetin me rreth 93 milionë banorë të zhytur në kaos që mund të nxiste më pas kriza humanitare dhe të refugjatëve.

    Rreziku më i madh tani është që presidenti Trump të vendosë se duhet të veprojë ose humb reputacionin, dhe një luftë fillon pa një përfundim të qartë dhe me pasoja të paparashikueshme./Koha.net