Kosovë Lajme

Osmani pret në takim Begajn: Kosova e Shqipëria të jenë përherë pranë njëra-tjetrës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka pritur sot në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begajn. Sipas njoftimit të presidencës, Osmani e Begaj kanë biseduar për nevojën që Kosova e Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës.

    Ajo gjithashtu citohet të ketë thënë që ka uruar hapa të suksesshëm drejt BE-së për të dyja shtetet shqiptare.

    “Në një takim të ngrohtë fundvitit, sot pata kënaqësinë ta pres Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me të cilin biseduam për bashkëpunimin tonë të pandalshëm dhe nevojën që Kosova dhe Shqipëria të jenë gjithmonë pranë njëra-tjetrës. Në prag të festave të fundvitit, i përcolla urimet më të përzemërta, me dëshirën që viti që vjen të sjellë edhe më shumë afërsi, më shumë bashkëpunim dhe hapa të suksesshëm drejt Bashkimit Evropian për dy shtetet tona”, thuhet në njoftimin e presidencës.

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, nga e marta po qëndron për një vizitë dy ditore në Kosovë. Gjatë së mërkurës, përveç takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ai ka vizituar edhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës me ç’rast edhe e ka uruar në 50-vjetorin e themelimit.

    “Urime 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës! Urime të gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë rrugëtim të lavdishëm! Lavdi brezave që e ndërtuan, nder brezave që e mbrojtën dhe shumë suksese brezave që do ta çojnë përpara!”, ka shkruar Begaj në profilin e tij në Facebook.

    https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP?ref=embed_post

    https://www.facebook.com/watch/BajramBegajAL/?ref=embed_video