Lajme Maqedoni

VLEN: Në Ditën e Alfabetit, bashkë me Kurtin për gjuhën, shqiptarët dhe të ardhmen tonë!

    Dreka e sotme me Kryeministrin e Kosovës z. Albin Kurtin, kryeparlamentarin Afrim Gashi, bashkë me lidershipin e VLEN-it, u mbajt me ftesë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në një ditë që ka vulosur identitetin tonë kombëtar. Para manifestimit qendror në Manastir, kujtuam gjithë sakrificën, kurajën dhe largpamësinë e atyre që i dhanë gjuhës shqipe një alfabet të përbashkët.

    Dita e Alfabetit është moment reflektimi për një kthesë historike që u bë themel i arsimit, kulturës dhe vetëdijes sonë kombëtare. Pa këtë akt të kuvendarëve të Manastirit, rruga jonë e zhvillimit do të ishte e cunguar, e paqartë, e pamundur. Ky është një nga ato momente të historisë ku vendimet e marra në kushte të vështira u bënë pikë reference për brezat e ardhshëm.

    Në këtë frymë u zhvillua edhe ky takim, me respekt të thellë për të kaluarën që na ka formuar dhe me nderim për një prej momenteve më madhore të historisë shqiptare. Kongresi i Manastirit mbetet ngjarje themeltare e kombit shqiptar, një akt që i dha gjuhës shqipe alfabetin e përbashkët dhe i hapi rrugë emancipimit kombëtar.

    Gjatë takimit, liderët e VLEN dhe Kryeministri Kurti uruan njëri-tjetrin për fitoret në zgjedhjet lokale në të dy vendet tona, duke e parë këtë si dëshmi të besimit të qytetarëve në vizionin e ri politik.

    Po ashtu, u zotuam për bashkëpunim edhe më të madh në funksion të prosperitetit, zhvillimit dhe integrimit të vendeve tona