Botë Lajme

Rrëzohet avioni turk, 20 të vdekur

    Një avion transporti ushtarak i Forcave Ajrore Turke tip Lockheed C-130 Hercules është rrëzuar të martën pranë kufirit mes Azerbajxhanit dhe Gjeorgjisë, duke shkaktuar vdekjen e të 20 personave që ndodheshin në bord, përfshirë anëtarët e ekuipazhit.

    Sipas Ministrisë turke të Mbrojtjes, avioni ishte nisur nga Azerbajxhani dhe po kthehej drejt Turqisë kur humbi kontaktin me kontrollin ajror në zonën e Sighnaghi, një territor malor në lindje të Gjeorgjisë, pranë kufirit me Azerbajxhanin.

    Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë avionin duke u rrotulluar në ajër përpara se të përplasej me tokën, ndërsa pas tij shihet një shtyllë e gjatë tymi të bardhë. Forcat e kërkim-shpëtimit nga të dy vendet ndodhen në vendngjarje, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit kanë nisur.

    Mediat turke raportojnë se në bord ndodheshin ushtarakë dhe personel teknik që kishin marrë pjesë në një mision logjistik në Baku. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka shprehur ngushëllime për viktimat, duke i cilësuar ata “dëshmorë që ranë në krye të detyrës”.

    Sipas autoriteteve ajrore, avioni C-130 Hercules është një nga modelet më të përdorura në botë për transport ushtarak dhe ka një histori të gjatë shërbimi në flotën turke. Ende nuk dihen shkaqet e sakta të rrëzimit, por hetimet po zhvillohen paralelisht nga ekipet turke dhe gjeorgjiane.

    Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në Turqi dhe Azerbajxhan, duke theksuar edhe një herë bashkëpunimin e ngushtë ushtarak mes dy vendeve. /skyweb.al