Sreqko Spasiq, i cili u tërhoq nga gara e balotazhit vetëm disa ditë para zgjedhjeve është shpërblyer me post nga qeveria e Serbisë. Pasi bëri thirrje që të mbështetet kandidati i Listës Serbe, Bozhidar Dejanoviq për kryetar të Kllokotit, të hënën Beogradi e ka emëruar Spasiqin kryetar të të ashtuquajturit Organ i Përkohshëm Komunal i Komunës së Vitisë, ani se kjo strukturë paralele është mbyllur nga autoritetet e Kosovës në fillim të këtij viti
Kandidati që u tërhoq nga gara e balotazhit për kryetar të Kllokotit, Sreqko Spasiq, është shpërblyer me pozitë nga qeveria e Serbisë. Spasiq është emëruar të hënën në krye të të ashtuquajturit Organ i Përkohshëm Komunal i Komunës së Vitisë, ani se kjo strukturë paralele është mbyllur nga autoritetet e Kosovës në fillim të këtij viti.
Beogradi deri tash ka refuzuar shuarjen e këtyre strukturave duke i zhvendosur brenda territorit të Serbisë.
Vendimi u mor disa ditë ditë pasi Spasiqi u largua nga gara dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij ta votojnë kundërshtarin nga Lista Serbe, Bozhidar Dejanoviq, i cili më 9 nëntor u zgjodh kryetar, duke e çuar në 10 numrin e komunave të fituara nga subjekti i cili mbështetet nga Beogradi zyrtar.
Spasiqi ka qenë më herët kryetar i Kllokotit nga Lista Serbe, por ishte larguar nga kjo parti në vitin 2017, pasi Lista Serbe ishte distancuar nga kandidati i saj, Strahinja Spasiq që ishte djali i Spasiqit dhe e kishte mbështetur kundërkandidatin Bozhidar Dejanoviq nga Nisma Qytetare Kllokot–Vërbovc.
Kryetari i zgjedhur i Kllokotit, në vitin 2022 ishte dënuar me një vit burgim me kusht për veprën penale “ndikim mbi vullnetin e lirë të votuesve”. Dejanoviq, në cilësinë e kryetarit të komunës kishte siguruar në mënyrë të jashtëligjshme vota për Listën Serbe.
E drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se fitorja bindëse e Listës Serbe në Kllokot është triumf i harmonisë dhe unitetit serb.
“Më e rëndësishmja, komunat serbe do të qeverisen nga kryetarë komunash serbë, me mbështetjen e këshilltarëve të Listës Serbe, të cilët kanë shumicën e nevojshme në të gjitha kuvendet lokale. Ky rezultat historik mbart edhe përgjegjësinë e Listës Serbe për të luftuar edhe më fort dhe me vendosmëri për interesat e popullit tonë në këto zona, dhe në këtë ata do të kenë mbështetje edhe më të theksuar nga shteti i Serbisë, Presidenti Aleksandar Vuçiç dhe Zyra për Kosovën, në mënyrë që së bashku të sigurojmë një të ardhme më të mirë për popullin tonë në këto zona”, ka thënë ai.
Kjo nuk është hera që rivalë të Listës Serbe kërcënohen dhe tërhiqen nga gara në momentet e fundit nga gara. Njësoj kishte vepruar kandidati për kryetar të Leposaviqit, Aleksandër Jabllanoviq, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 23 prill 2023. Tërheqjen e kishte arsyetuar me, siç pati thënë “mungesën e kushteve të sigurisë për mbajtje të zgjedhjeve”. Ai pati përmendur faktin se zgjedhjet mbaheshin në kontejnerë dhe se siguria do të garantohet nga Policia e Kosovës.
Jabllnoviq pati refuzuar se ka pasur presion për pjesëmarrje në zgjedhje, tek u pati bërë thirrje të gjithë përkrahësve që të mos dalin në zgjedhje, të cilat ishin organizuar pas dorëheqjes së kryetarëve serbë në komunat veriore.
Atëkohë Beogradi zyrtar pati intensifikuar përndjekjen ndaj serbëve të Kosovës, të cilët nuk u janë bindur urdhrave të Listës Serbe për bojkotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Kësisoj, ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dragan Nikoliq nga Leposaviqi dhe Dushan Tomoviq nga Zubin Potoku ishin arrestuar nga Policia e Serbisë me akuzën se bashkë me katër serbë të tjerë kanë punuar intesivisht për ta shkatërruar rendin kushtetues dhe sigurinë e Serbisë. Avokati i të akuzuarve, Ivan Niniq kishte thënë se arrestimi i Dragan Nikoliqit është hakmarrje nga Beogradi, pasi që bashkëshortja e tij, Ivana Nikoliq, ka qenë kandidate për këshilltare në listën e Partisë së Serbëve të Kosovës për Leposaviq.
Ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë janë konfirmuar edhe nga Misioni i Vëzhguesve të Bashkimit Evropian, lidhur me zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.
“Ne e kuptojmë se autoritetet e Serbisë kanë ndërhyrë seriozisht duke mbështetur një nga gjashtë partitë serbe. Bashkëbiseduesit tanë kanë raportuar se ka pasur presion mbi votuesit serbë. Mungesa e pluralizmit të mirëfilltë politik në komunitetin serb nuk është e shëndoshë”, pati deklaruar shefja e delegacionit të anëtarëve të Parlamentit të Evropian, Marta Temido.
Që prej themelimit të Listës Serbe si derivat i dialogut të Brukselit në vitin 2013, të gjithë kundërshtarët që guxuan ta sfidojnë atë janë ballafaquar me shantazhe e kërcënime.
Në janarin e vitit 2018 ishte vrarë para zyrës së tij politikani i njohur serb, lideri i nismës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviq.
E disa ditë para rundit të fundit të balotazhit është plagosur dhe më pas është rrëmbyer Milan Vukashinoviq, punonjës i një kompanie kosovare të sigurimit. Sipas autoriteteve të Kosovës, Vukashinoviq është qëlluar nga xhandarmëria e Serbisë brenda territorit të Kosovës.
Ish-zëvendësministri në qeverinë e Kosovës, Radoica Radomiroviq, i cili është interesuar për gjendjen e Vukashinoviqit, me kërkesë të familjes, ka thënë se Serbia e pati në sy të keq Vukashinoviqin meqë ai nuk hoqi dorë nga puna e tij në Byronë Kosovare të Sigurimeve as më 2022, kur persona të panjohur i vendosën eksplozivë në veturë. Ky nuk është kërcënimi i parë që ai e mori, pasi në janar të 2020-s, u pat arrestuar në Serbi vetëm pse punonte në një kompani anëtare të Byrosë së Sigurimeve.

