Kosovë Lajme

“Do t’ju vras”, i dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë, kanosi në prill familjarët e gruas së tij

    I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë, A.I., pati qenë i dënuar përveç që për dhunë në familje, edhe për kanosje. Ai bashkë me një familjar të tijin, P.I., në prill të këtij viti patën kanosur miqtë e tyre (familjarët e bashkëshortes), I.M. dhe M.M.

    Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshjeje, A.I. iu kishte drejtuar me fjalë të dëmtuarve: “dilum nga lokali se ju vras dhe kini afat deri të shkoni në shtëpi, sepse si të shkoni në shtëpi unë do t’ju vras”, derisa i akuzuari tjetër P.I. u kishte thënë: “dilni jashtë se ju vras”.

    Gjykata Themelore e Prishtinës të dy i kishte dënuar me nga 200 euro.

    Dy të akuzuarit në gjyq i patën premtuar gjykatës se në të ardhmen “nuk do të përsërisë vepra të tilla apo të tjera penale”.

    Dosja e të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë – gruan e kërcënoi se do t’ia vriste familjen

    I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Golluboc të Malishevës, ka qenë i dënuar për dhunë në familje dhe kanosje nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Drenas, më 16 prill 2025 me 154 ditë burgim dhe 800 euro gjobë, ndërkaq Gjykata e Apelit më 26 qershor 2025 kishte ndryshuar këtë vendim, duke dënuar A.I. me 3 muaj burgim dhe 800 euro gjobë.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë më 7 prill 2025 kishte ngritur aktakuzë ndaj A.I. për veprën penale dhunë në familje dhe kanosje.

    Sipas aktakuzës të cituar në vendim të gjykatës, thuhet se i dyshuari më 30 mars 2025 me dashje dhe qëllim të cenimit të dinjitetit kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Të dëmtuarën, gruan e tij, e kishte goditur me peshqir, duke e sulmuar me shuplaka disa herë, duke i gjuajtur pjatën e ushqimit, e duke e ngrehur zhag dhe duke e futur në dhomë me kabëll rryme derisa i ishte dukur mjaftueshëm, dhe më pas duke e larguar nga shtëpia, thuhet në aktakuzë.

    Në pikën tjetër të akuzës thuhet se A.I. i është drejtuar me fjalë të dëmtuarës – gruas së tij – me fjalët: “Ti nuk guxon me mu nda mua, se kam me të vra familjen ka me t’i faruar krejt,” e që me këto veprime ngarkohen edhe me veprën penale kanosja.

    Në seancën fillestare, A.I. ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar falje, me të cilin deklarim është pajtuar mbrojtësi i tij, Prokuroria e Shtetit dhe vet përfaqësuesja e palës së dëmtuar.

    Më tutje, gjykata ka gjetur se pranimi i fajësisë është në harmoni me dispozitat ligjore, duke shtuar se dënimi me burgim prej 154 ditë dhe 800 euro gjobë është i mjaftueshëm dhe se arrihet qëllimi i dënimit, duke u arritur rehabilitimi në rastin konkret.

    Ndërkaq, lidhur me propozimin për masë të paraburgimit, gjykata del të ketë caktuar masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e vendimit të gjykatës, përmes të cilit i kishte shqiptuar dënim prej 154 ditë burgim dhe 800 euro gjobë.

    Ndaj këtij vendimi, A.I. ka ushtruar ankesë përmes avokatit të tij, e që më pas Apeli ka pranuar pretendimet e avokatit, duke vlerësuar se Themelorja ka mbivlerësuar rrethanat rënduese dhe i ka nënvlerësuar rrethanat lehtësuese.

    Posaçërisht, pasi që A.I. është mbajtës i familjes dhe se për hir të interesit familjar ka kërkuar dënim më të butë apo alternativ.

    Dhe se, sipas Apelit, shkalla e parë ka nënvlerësuar rrethanat lehtësuese dhe se e dëmtuara ka njoftuar gjykatën se është kthyer në shtëpi dhe se i akuzuari ka shprehur pendim.

    A.I. ishte në arrati pas dyshimeve për kryerje të vrasjes së dyfishtë në fshatin Golluboc më 6 nëntor 2025 të Malishevës, mirëpo i njëjti u gjet nga policia dhe u arrestua./BetimipërDrejtësi