Botë Lajme

Gjobë deri në 1.600 euro nëse pronari e mban qenin të lidhur me zinxhir në oborr apo kopsht – masa drastike në Slloveni

    Në Slloveni, më 11 nëntor hyn në fuqi ndalimi i plotë i mbajtjes së qenve të lidhur për një kohë të gjatë.

    Kjo do të thotë se pronarët nuk do të kenë më të drejtë t’i mbajnë qentë të lidhur me zinxhir, litar apo në ndonjë mënyrë tjetër që ua kufizon lëvizjen e lirë.

    Rregullorja e re parasheh gjoba të larta, dhe për shkeljen e ndalimit, pronarët përballen me gjobë deri në 1.600 euro.

    Sipas rregullave të reja, qentë duhet të kenë një hapësirë të rrethuar që u mundëson lëvizje të lirë, strehë nga kushtet atmosferike dhe siguri nga arratisja.

    Mbetet në fuqi detyrimi që qeni të mbahet në litar kur ndodhet në vende publike, por nuk lejohet më që të mbahet i lidhur në oborre apo kopshte.

    Në arsyetimin e vendimit thuhet se qentë që mbahen vazhdimisht në zinxhir shpesh janë të ekspozuar ndaj stresit, vuajtjes dhe sjelljeve problematike, dhe se kjo praktikë e dëmton shëndetin e tyre fizik dhe mendor.

    Një ndalim i ngjashëm ekziston edhe në Kroaci, por ende nuk zbatohet plotësisht në praktikë. Sipas Ligjit për mbrojtjen e kafshëve (Gazeta Zyrtare 102/17), ndalohet mbajtja e vazhdueshme e një qeni të lidhur ose në një hapësirë që nuk i lejon lëvizje të lirë.

    Për personat fizikë që e shkelin këtë dispozitë, parashikohet një gjobë prej 2.600 deri në 6.600 euro, ndërsa për personat juridikë gjoba është nga 2.000 deri në 4.000 euro.

    Megjithë ndalimin ligjor, në Kroaci ende është e zakonshme që qentë, veçanërisht në zonat rurale, ta kalojnë tërë jetën e tyre të lidhur me zinxhir.

    Ekspertët dhe shoqatat për mbrojtjen e kafshëve paralajmërojnë se ligji duhet të zbatohet më rreptësisht, sepse mbajtja e përhershme e qenve të lidhur çon në pasoja serioze për shëndetin dhe sjelljen e tyre, ka raportuar index. /press7