Lajme Maqedoni

Mexhiti: Një tjetër premtim i mbajtur për qytetarët

    Kryetari i ardhshëm i Komunës së Çairit dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, edhe sot ka qenë në terren, duke ndjekur nga afër përfundimin e punimeve në rrugën “Ahmet Hajdari” në Gazi Babë.

    Rruga është tashmë e lëshuar për qarkullim, pas përfundimit me sukses të punimeve për asfaltimin dhe sistemin e kullimit. Ky investim pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe sigurinë në zonë, duke sjellë lehtësi për banorët e kësaj lagjeje.

    “Lagjja ka marrë pamje më të bukur dhe më funksionale. Banorët tashmë po e gëzojnë një rrugë të re, të përshtatur me nevojat e tyre të përditshme. Ky projekt është pjesë e programit tonë për përmirësimin e rrjetit rrugor dhe krijimin e kushteve më cilësore për jetesë në çdo lagje të Çairit,” – theksoi Mexhiti.

    Ai u shpreh falënderues ndaj banorëve të Gazi Babës për durimin, bashkëpunimin dhe besimin e vazhdueshëm gjatë zhvillimit të punimeve.

    Rruga “Ahmet Hajdari” është një tjetër dëshmi e angazhimit të ekipit të VLEN për realizimin e projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.