Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia vazhdimisht po përpiqet të dëmtojë sovranitetin e Kosovës përmes destabilizimit, dezinformimit dhe duke përkrahur grupe terroriste.
Sipas saj, fuqizimi i aleancës me vendet demokratike është përgjigjja më e mirë ndaj Serbisë, e cila, siç tha ajo, është dorë e zgjatur e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
Osmani në një fjalim para studentëve në Universitetin e Berlinit të enjten, tha se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ajo theksoi se Kosova nuk kërkon privilegje për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por proces meritor dhe drejtësi.
“Serbia, dora e zgjatur e Rusisë, vazhdimisht përpiqet të dëmtojë sovranitetin e Kosovës përmes destabilizimit, dezinformimit dhe duke përkrahur grupe terroriste kriminale. Qëllimi është të kthehet prapa verdikti i historisë për të zhbërë çdo gjë të demokracive. Kosova nuk do të frikësohet. E dimë sesi veprojnë agresorët, se çfarë bëjnë dhe çka do të bëjnë nëse nuk i ndalim ne së bashku.
Përfundimisht, përgjigjja ndaj dhunës është sundimi i së drejtës. Përgjigja ndaj propagandës është e vërteta. Përgjigja ndaj frikës është guximi i përbashkët dhe i ringjallur. Më me rëndësi, përgjigjja ndaj agresorit që maskohet si paqebërës është të kesh aleanca të forta. Vetëm aleanca e demokracive do t’i kthejë prapa ata që synojnë të na kthejnë neve prapa”, tha ajo.
Sipas saj, zgjerimi i BE-së nuk duhet të jetë proces burokratik dhe që mund të vonohet, pasi çdo lloj ngurrimi do të krijojë hapësirë për akterët keqdashës.
“Zgjerimi i BE-së nuk është një proces burokratik që mund të vonohet. Është imperativ strategjik që duhet përqafuar. Çdo lloj ngurrimi krijon hapësirë për aktorë keqdashës që duan ta mbushin atë. Çdo vonesë trimëron ata që nuk e kanë të njëjtën vlerë që e kemi ne. Kosova nuk kërkon privilegje. Kosova kërkon drejtësi për proces meritor dhe as shkurtesa. Një rrugë, shteg i qartë, kredibil, por respekt për punën që kemi bërë dhe reformat që vazhdojmë t’i ndërmarrim… Kemi parë shumë herë se një shtet anëtar bllokon vullnetin e të gjithë të tjerëve. Mendoj se zgjerimi duhet të shihet nga një këndvështrim më i gjerë. Po e shikoni Ballkanin Perëndimor si rajon, ka ardhur momenti ta shihni si potencial dhe jo si barrë. Nëse i bëjmë detyrat e shtëpisë dhe të gjitha reformat, duhet të ketë një shteg për të na hapur derën dhe futur brenda”, theksoi Osmani.
Ajo shtoi se demokracia në Kosovë vazhdimisht po përforcohet, derisa përmendi organizimin e zgjedhjeve të lira dhe garuese, madje sipas saj, më të mirat në rajon, raportoi KosovaPress.
“Kosova është demokraci që vazhdimisht është përforcuar. Institucionet tona mbajnë zgjedhje të lira dhe garuese, madje më të lirat dhe më garueset në të gjithë rajonin. Të rinjtë tanë dhe diaspora e shkëlqyeshme udhëheqin një ekonomi digjitale që lidh Kosovën me Berlinin dhe Mynihun dhe shumë më gjerë. Politika jonë e jashtme është e ngulitur në të ardhmen evropiane”, theksoi ajo.