Lajme Maqedoni

“Në Beograd 11 herë, në Prishtinë asnjë!” – Qoku: Si e ktheu Ali Ahmeti protestën për UÇK-në në miting elektoral

    Shkruan Bekim Qoku

    Në prag të protestës së paralajmëruar për nesër në Tiranë, që ka për qëllim të kërkojë lirimin e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe ne shprehim mbështetjen tonë të plotë për çdo iniciativë qytetare që ngrihet në mbrojtje të dinjitetit të luftës çlirimtare dhe të drejtës për një proces të drejtë gjyqësor për ata që kanë kontribuar në lirinë e Kosovës.

    Megjithatë, me keqardhje vërejmë se kjo protestë, në vend që të mbetet një shprehje e sinqertë e solidaritetit mbarëshqiptar, po keqpërdoret për qëllime të ngushta politike, në funksion të fushatës zgjedhore të Ali Ahmetit dhe dhe strukturave të tij partiake.

    Sipas informacioneve të besueshme, data e protestës është dakorduar nga Artan Grubi qëllimisht në ditën e fundit të fushatës, menjëherë para heshtjes zgjedhore, duke e kthyer kështu një çështje kombëtare në instrument elektoral. Pikërisht atë ditë, BDI njoftoi se Ali Ahmeti do ta ndërpresë fushatën dhe do t’i bashkohet protestës, duke e politizuar në mënyrë të hapur një kauzë që meriton seriozitet, jo manipulim. Kauza e UÇK-së është kombëtare e nuk i përket partive, aq më pak partive të korruptuara.

    Për këtë arsye, i drejtojmë disa pyetje publike z. Ali Ahmeti:

    Meqë ai vetë u mburr se nuk merret me kanalizime, por me marrëveshje ndërkombëtare (duke i përbuzur nevojat e përditshme të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, që prej viteve të sundimit nga Ali Ahmeti nuk trashëguan bile as kanalizimet) duam t’i bëjmë disa pyetje Ali Ahmetit:

    Në cilat organizata ndërkombëtare e ka ngritur ndonjëherë ai apo partia e tij çështjen e Dhomave të Specializuara dhe të padrejtësive ndaj ish-komandantëve të UÇK-së përsa kohë partia e tij ka drejtuar institucione të rëndësishme shtetërore dhe ndërkombëtare?

    – Çfarë ka ndërmarrë ministri i tij i Punëve të Jashtme, z. Bujar Osmani, i cili ka qenë dhe drejtues i OSBE-së për ta trajtuar këtë çështje në instanca ndërkombëtare?

    – Çfarë ka bërë për këtë punë edhe kryeministri teknik Talat Xhaferi, ish pjesëtar i UÇK-së? Pse nuk e përdori autoritetin e tij për ta ngritur të paktën si debat temën e liderëve të arrestuar të UÇK-së?

    – Dhe, mbi të gjitha: Ali Ahmeti është ftuar vetë si dëshmitar në Dhomat e Specializuara, a mund të tregojë publikisht çfarë ka deklaruar atje?

    – Ai madje, në përgjimet e Zaevit dëgjohet kur mbështet miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ai personalisht e ka mbështetur këtë nismë dhe ka bërë fushatë për këtë. Deri sot, nuk është shprehur kurrë kundër.

    Po ashtu, duhet rikujtuar se përfaqësues të qeverisë së Ali Ahmetit e kanë vizituar plot 11 herë Beogradin, ndërsa asnjëherë Prishtinën. Interesi për Kosovën dhe për luftën e saj shfaqet nga BDI vetëm gjatë fushatave, kur kërkohet të preket emocioni kombëtar për përfitim politik

    Pse Ali Ahmeti nuk e ka dënuar kurrë sulmin terrorist të Banjskës dhe nuk e ka ngushëlluar familjen e heroit Afrim Bunjaku?

    – Pse Ali Ahmeti nuk ka kërkuar kurrë që shqiptarët e Maqedonisë që janë mbi 30%, të kenë të paktën po ato të drejta që kanë serbët në Kosovë?

    Meqenëse Ali Ahmeti shet patriotizëm, pse ai kurrë s’ka guxuar të flasë kundër Zajednicës serbe, pse nuk guxon të paktën të kërkojë një Bashkim të Komunave Shqiptare?

    Edhe pse ka qenë 22 vjet në pushtet dhe, siç thotë vetë, ka kaluar në bashkëpunim me 8 apo 9 kryeministra, Ali Ahmeti nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të rregulluar statusin e ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Ndërkohë, ka treguar mirëkuptim të plotë për të miratuar gjashtë herë ndryshime të Ligjit për Branitellat, që favorizojnë pjesëtarët e ushtrisë maqedonase. Kjo sjellje me dy standarde nuk i ndihmon kauzës kombëtare, aq më pak liderëve të UÇK-së.

    Ne e mbështesim çdo zë që ngrihet në mbrojtje të drejtësisë për luftëtarët e lirisë, por refuzojmë çdo përpjekje për ta përdorur këtë kauzë të shenjtë për marketing elektoral.

    Lufta e UÇK-së është pjesë e dinjitetit kombëtar, jo dekor fushate. Shqipëria nuk është mëmëdheu i BDI-së, por i të gjithëve ne në kombin tonë. Përpjekja për monopolizimin partiak të UÇK-së dhe të Shqipërisë, nuk do të ketë sukses.