Disa automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë hyrë gabimisht në territorin e Mitrovicës së Veriut gjatë ditës së enjte, ku kanë qëndruar për disa minuta, ka bërë të ditur shefi i sektorit të informimit publik të FSK-së, Vëllazërim Qerimi. Të njëjtin version e dha më herët edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Sipas raportimeve të mediave serbe dhe videove që kanë qarkulluar në Telegram, automjetet e FSK-së hynë në rrugën kryesore të Mitrovicës së Veriut në orët e mëngjesit.
Dëshmitarë okularë kanë thënë për “KoSSev” se automjetet qëndruan aty për rreth dhjetë minuta. Ishin pothuajse dhjetë automjete, përfshirë disa Hummer dhe tre deri në katër kamionë. Fillimisht, qytetarët menduan se ishte KFOR-i.
Në një përgjigje për KOHËN, Qerimi u shpreh se konvoji ishte duke lëvizur nga Istogu në kazermën e FSK-së në Mitrovicën e Jugut.
Forca e Sigurisë së Kosovës njofton publikun që sot me datë 16.10.2025 në ora 10:30, gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes”, ka thënë shefi i sektorit të informimit publik në FSK për KOHËN.
E zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani, më herët konfirmoi se automjetet ishin të FSK-së. Ai shtoi se ata kaluan rreth pesë minuta në një stacion karburanti, ku policia i ka parë dhe i ka pyetur për situatën. Sipas Elshanit, pjesëtarët e FSK-së u përgjigjën se kishin gabuar vendndodhjen dhe menduan se ishin në Mitrovicën e Jugut.
Elshani gjithashtu theksoi se pjesëtarët e FSK-së nuk kishin armë.
Kur u pyet nga “KoSSev” sesi është e mundur që FSK-ja të bëjë një gabim të tillë në përcaktimin e vendndodhjes, ai u përgjigj se kjo është “pyetje e mirë”, por për FSK-në.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
https://www.facebook.com/reel/1483824192670952/?t=0