Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar sot me Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.
Ky çmim nderon lidershipin, kontributin dhe angazhimin e grave që kanë avancuar paqen, sigurinë dhe demokracinë në vendet e tyre dhe në mbarë botën.
Osmani tha se ky është “një nder i veçantë dhe një çmim që i dedikohet popullit të Kosovës, e në veçanti të gjitha grave të Kosovës, atyre që me guxim, dinjitet e dashuri ndihmuan ndërtimin e paqes dhe arritjen e lirisë sonë”.
“Paqja jonë është ndërtuar mbi sakrificën dhe guximin e tyre, ndërsa demokracia jonë është forcuar falë përkushtimit të grave që qëndruan të palëkundura në çdo hap të rrugëtimit tonë drejt lirisë e barazisë”, tha Osmani.
Ajo theksoi se vlerësimi nga Asambleja Parlamentare e NATO-s është edhe njohje për përpjekjet e Kosovës në avancimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përmes Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe Qendrës Rajonale të Ekselencës.
Osmani është liderja e parë nga Evropa Juglindore që nderohet me këtë çmim.
https://www.facebook.com/VjosaOsmaniMP/posts/1349442586540277?ref=embed_post