Lajme Maqedoni

Pas 7 viteve burg të montuar të babait, Eron Beluli sot ngrihet si asamblist i VLEN në Kumanovë

    Një histori e padrejtësisë po shëndërrohet në forcë politike dhe shpresë për të ardhmen në Kumanovë. Pas 7 viteve burg të montuar që vuajti padrejtësisht babai i tij, sot Eron Beluli ngrihet si asamblist i koalicionit VLEN, duke u bërë zëri i qytetarëve në Kuvendin Komunal.

    I lindur më 15 prill 1992 në Kumanovë, Beluli është jurist i diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore. Përvojën e tij e ka ndërtuar si afarist në agjencinë turistike “Jara Travel”, ku menaxhonte udhëtime dhe shërbime ndërkombëtare, si dhe si jurist i angazhuar pranë Ministrisë së Shëndetësisë në Shkup. Aktualisht, si asamblist, ai premton të punojë për transparencë, zhvillim lokal dhe mirëqenie qytetare.

    Në këtë rrugëtim politik, mbështetjen më të madhe Eroni e gjen te familja. Babai i tij, Agim Beluli, ka shprehur krenarinë dhe emocionin për këtë arritje:

    “Jam i lumtur dhe krenar që edhe familjes sime të ngushtë i erdhi rradha të bëhet pjesë e shoqërisë politike, me njeriun (djalin) i cili përveç vizionit ka edhe shkathtësinë për t’i arritur qëllimet e caktuara shoqërore dhe kombëtare! ‘VLEN’ aspak nuk gaboi që vendosi ERONIN në mesin e të parëve për këshilltar komunal, sepse projektet që i ka në kokë din me përkushtim t’i realizojë…”

    Kështu, historia e një padrejtësie që shënoi një familje po kthehet sot në një gur themeli për angazhimin politik të brezit të ri, duke dhënë mesazhin se drejtësia dhe vizioni për të ardhmen mund të triumfojnë mbi vuajtjen dhe padrejtësinë./press7.tv