Lajme Maqedoni

Mexhiti prezanton Master Planin: Vizioni i ri për Çairin!

    Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti, në bashkëpunim me arkitektin me renome botërore, z. Bajram Vardar, sot prezantuan Master Planin për Çairin – një dokument strategjik që synon transformimin e komunës në model të zhvillimit të qëndrueshëm, me infrastrukturë moderne, gjelbërim urban, hapësira kulturore dhe qendra të reja arsimore e rinore.

    Master Plani është rezultat i punës së një ekipi të gjerë ekspertësh nga Turqia dhe Maqedonia e Veriut, nën drejtimin e arkitektit Bajram Vardar – urbanist me origjinë nga Shkupi, i cili ka zhvilluar karrierë të suksesshme në Turqi dhe ka qenë pjesë e ekipit të ngushtë të presidentit Rexhep Taip Erdogan gjatë kohës kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Stambollit. Në ekip kanë marrë pjesë edhe ekspertët e njohur Nadir Dogan dhe dr. Mustafa Tutar, përkrah specialistëve vendorë që kanë garantuar përshtatjen e planit me realitetin dhe nevojat e Çairit.
    Master Plani mbështetet në shtatë shtylla kryesore zhvillimi:
    1. Komunikacioni
    2. Ruajtja e trashëgimisë kulturore
    3. Turizmi dhe ekonomia
    4. Arsimi
    5. Kultura dhe arti
    6. Rekreimi dhe sporti
    7. Transformimi urban

    Në fokus të planit janë zgjidhjet konkrete për lehtësimin e komunikacionit dhe modernizimin e infrastrukturës. Vizioni parasheh ndërtimin e bulevardit “Kroacia” dhe “Mali i Zi”, duke mundësuar lëvizjen nga Autokomanda në drejtim të Sarajit pa kaluar nëpër Çair. Gjithashtu, parashikohet zgjerimi i bulevardeve “Mithat Frashëri” ( brigada Maqedonase-Kosovare), “Xhon Kenedi” dhe “Cvetan Dimov”, si dhe shpërthimi i nyjeve kyçe që do të mundësoj lehtësimin e qarkullimit. Një nga projektet më të rëndësishme është ndërtimi i rrethit të komunikacionit përreth parkut- pyll Gazi Babë.

    Një tjetër komponentë thelbësore është revitalizimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit, ku parashihen masa konkrete për rritjen e numrit të turistëve, zhvillimin ekonomik dhe kulturor të zonës, duke i kthyer hanet tradicionale në qendra funksionale dhe epiqendra të jetës urbane.

    Projekti parashikon gjithashtu krijimin e 5000 vendeve të reja parkimi, përfshirë parkingje mekanike, si dhe ndërtimin e qendrave të reja rinore, rinovimin e shkollave ekzistuese dhe krijimin e një kampusi të ri modern për Universitetin “Nënë Tereza”.

    Një pjesë e veçantë e Master Planit i kushtohet projektit “Qendra Moderne Tophane”, që synon të transformojë lagjen Tophane në një hapësirë ikonike dhe atraktive për Shkupin, duke ndërthurur gjurmët e besimit, trashëgimisë dhe kulturës me një gjuhë moderne arkitekturore, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

    Ngjarja e prezantimit të Masterplanit u ndoq nga qytetarë, arkitektë, urbanistë, përfaqësues të mediave dhe personalitete publike, të cilët përshëndetën këtë iniciativë si një hap të madh drejt transformimit të Çairit në një komunë evropiane me identitet të fortë urban e kulturor.