Lajme Maqedoni

Mexhiti: Kujdesi për pensionistët është përparësi, kemi siguruar hapësirë të re dhe mbështetje konkrete

    Kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti vizitoi Shoqatën e Pensionistëve në Çair ku takoi përfaqësues të tyre që kanë dhënë kontribut të pazëvendësueshëm në ndërtimin e shoqërisë në vend.
    “Kjo vizitë ka një domethënie të veçantë për mua. Nuk jam këtu vetëm për të dëgjuar, por për të treguar se premtimet po bëhen realitet”, u shpreh Mexhiti, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes konkrete për të moshuarit.
    Gjatë kësaj vizite, ai bëri të ditur se Shoqata e Pensionistëve tashmë ka në përdorim një hapësirë shtesë për aktivitete ditore, si pjesë e angazhimit për ta bërë këtë kategori më të përfshirë në jetën shoqërore.
    Mexhiti kujtoi gjithashtu se gjatë këtij viti, mbështetja nga qeveria për pensionistët ka qenë e prekshme, me rritjen e pensioneve si një masë direkte që përmirëson sigurinë ekonomike të të moshuarve.
    Nga 1 Tetori është realizuar një tjetër rritje, dhe me rritjen që pritet në muajin mars, pensionistët do të përfitojnë gjithsej 7,000 denarë shtesë, një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të standardit të tyre.
    “Kujdesi për pensionistët është pjesë kyçe e programit tim politik. Do të vazhdojmë të investojmë në ambientet, shërbimet dhe mirëqenien e tyre. Sepse një komunë e mirë matet edhe nga mënyra si i trajton më të moshuarit e vet”, theksoi Mexhiti.