Lajme Maqedoni

Bashkim Bakiu: “Bashkimi është çelësi i suksesit – Shkupin do ta bëjmë qytet modern e të hapur për të gjithë”

    Në një tubim madhështor të koalicionit VLEN, të mbajtur para mbi 15 mijë qytetarëve në sallën “Boris Trajkovski” në Shkup, kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit, Bashkim Bakiu, paraqiti vizionin e tij për kryeqytetin.

    “Shkupi ka qenë gjithmonë zemra e mikpritjes, bashkëjetesës, vend ku kulturat takohen dhe njerëzit ndajnë ëndrrat e tyre për një të ardhme më të mirë. Synimi ynë është që Shkupi të jetë qytet ku çdo familje ndjehet e sigurt, ku të rinjtë kanë mundësi për arsim, punësim dhe zhvillim”, theksoi Bakiu para qytetarëve.

    Ai premtoi përkujdesje për çdo komunë, lagje e vendbanim, përfshirë edhe ato që shpesh kanë mbetur të harruara nga qeverisjet e kaluara. Në fjalimin e tij u veçuan Stracinca, Hasanbegu, Luboteni, Buteli, Shuto Orizare, Vizbegu, por edhe Nerezi e Nikishtani, duke shtuar se nuk do të ketë diskriminim apo hakmarrje politike siç ka ndodhur më parë.

    “Si Shkup do të kujdesemi edhe për komunat që nuk janë nën kufijtë administrativë të qytetit, por janë zemra e shqiptarëve, siç janë Haracina dhe Studeniçani”, shtoi Bakiu.

    Ai theksoi se lista e këshilltarëve të tij është e përbërë nga njerëz të ndershëm dhe profesionistë, mes tyre Zekirija Berisha, Ardian dhe Rejhani, të cilët do të jenë zëri i qytetarëve.

    Duke e cilësuar bashkimin si çelës të suksesit, Bakiu kujtoi shembullin e Arben Fetait, “zëri që ndaloi ndarjen e 107 mijë votave dhe qëndroi besnik brenda VLEN-it”, si frymëzim për të ecur përpara.

    Ai premtoi investime në infrastrukturë, ajër më të pastër, lagje më të rregulluara, shërbime publike që i shërbejnë qytetarit dhe hapësira kulturore e sportive për të rinjtë.

    “Ky nuk është vetëm një program politik, por një zotim për Shkupin, për familjet tona dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Jam këtu për t’ju dëgjuar, për t’ju përfaqësuar dhe për të punuar bashkë me ju”, përfundoi kandidati për Shkupin, Bashkim Bakiu./press7.tv