Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me praktikën që, sipas tij, është kthyer në zakon për liderin e BDI-së, Ali Ahmeti – marrja e çmimeve të nderit në prag fushatash zgjedhore.
Në statusin e tij, Qoku shkruan se çdo periudhë zgjedhore shoqërohet me ndonjë titull nderi për Ahmetin, herë nga ndonjë universitet privat, e herë nga ndonjë komunë apo bashki “diku në hapësirat shqiptare”.
“Është bërë zakon tashmë që sa herë që afrohen zgjedhjet, Ali Ahmeti nderohet me ndonjë çmim nderi. Herë nga ndonjë universitet privat, herë nga ndonjë komunë a bashki ‘diku në hapësirat shqiptare’”, shkruan Qoku.
Sipas tij, edhe në vitin 2024, pak para zgjedhjeve parlamentare, Ahmeti mori titullin ‘Qytetar Nderi’ nga Bashkia e Tiranës, ndërkohë që disa muaj më vonë, kryebashkiaku Erion Veliaj përfundoi në burg për korrupsion.
Në prag të zgjedhjeve komunale, Universiteti Evropian i Tiranës e ka shpallur Ahmetin ‘Honoris Causa’, ndërkohë që, siç përmend Qoku, drejtuesi i këtij universiteti është arrestuar paraprakisht për korrupsion.
Në vazhdim, Qoku ngre disa pyetje mbi arsyet e këtyre nderimeve, duke përmendur edhe çështjet që kanë qenë pjesë e diskutimeve publike rreth Ahmetit:
• bashkëpunimi me regjimin e Vuçiqit, përmes shitjes së aksioneve bankare të familjes së tij te njerëz të afërt me presidentin serb;
• korrupsioni familjar, me nipin e tij 27-vjeçar që ka blerë një qendër tregtare në Shkup për 31 milionë euro;
• dhe shpalljen non-grata nga SHBA të një pjese të kryesisë së BDI-së, përfshirë Artan Grubin, i cili, sipas Qokut, ndodhet në arrati me fletarrest ndërkombëtar.
Qoku thekson se Ahmeti nuk është distancuar nga bashkëpartiakët e tij të shpallur non-grata dhe ngre disa pyetje lidhur me qëllimin e nderimeve:
“Përse këto nderime? A janë borxhe të vjetra që po shlyhen? Çmime të blera me para? Apo presione politike për t’i dhënë një shkëlqim të rremë njërit prej politikanëve më të komprometuar të hapësirës shqiptare?”, pyet Qoku.
Në përfundim, ai vlerëson se këto çmime nuk e përmbushin funksionin e tyre simbolik:
“Në vend që të shërbejnë si shembull, këto çmime e kthejnë në grotesk nderimin akademik e qytetar. Sepse aty ku korrupsioni shpërblehet me medalje, morali është varrosur.”/press7.tv