Lajme Maqedoni

Fazliu: BDI e shndërruar në kompani private në shërbim të interesave serbe

    Të nderuar qytetarë, të nderuar përfaqësues të mediave,
    Tashmë disa ditë opinioni është dëshmitar i aferës më të madhe politiko-financiare në historinë më të re të vendit, aferë që ua hoqi maskën plotësisht BDI-së dhe Ali Ahmetit. Heshtja e tyre është pranim i hapur i veprave.
    Para gjithë Maqedonisë u shpalosën fakte të pamohueshme për lidhjen kriminale dhe anti-shqiptare: Mijallkov – Ahmeti – Vuçiç.
    Ta përsërisim për ata që bëhen sikur nuk kanë dëgjuar:
    Së pari: Familja e Ali Ahmetit, përmes kompanisë “AS Senjak”, më 17 shtator të këtij viti ka shitur një pako të madhe aksionesh tek Alta Banka e Beogradit, bankë nën kontroll të drejtpërdrejtë të regjimit të Aleksandar Vuçiçit. Derisa flasin për patriotizëm, familja e Ahmetit shet interesin ekonomik të fituar mbi kurrizin tonë dhe e fut “botën serbe” drejtpërdrejt në zemër të sistemit bankar të shtetit.
    Së dyti, edhe më e rëndë: Po këto aksione, familja e Ali Ahmetit i kishte blerë një vit më parë, më 24 tetor të vitit 2024, drejtpërdrejt nga njeriu i të gjitha skemave kriminale në Maqedoni, Sasho Mijallkov!
    Lidhja është e qartë, paratë e shefit sekret të policisë Mijallkov, përmes familjes së Ali Ahmetit, përfundojnë në duart e regjimit të Aleksandar Vuçiçit. Kjo nuk është biznes. Kjo është tradhti e interesave kombëtare shqiptare dhe dëshmi për një koalicion të errët që ka vepruar pas shpinës së qytetarëve.
    Çfarë kemi sot?
    Heshtje që ushton.
    Ali Ahmeti hesht.
    Fshihet dhe mendon se e vërteta do të zhduket. Prandaj është nervoz. Prandaj prapë sillet si patriot.
    Asnjë funksionar i BDI-së nuk doli të thotë asnjë fjalë.
    Asnjë nuk pati guxim të mbrojë këtë marrëveshje të turpshme.
    Heshtin edhe partnerët e tij që i ka në koalicion.
    Ziadin Sela nuk thotë asnjë fjalë.
    Arben Taravari nuk thotë asnjë fjalë.
    A nuk e dinin me kë po hynin në koalicion, apo e dinin dhe e aprovuan këtë aleancë me “botën serbe”?
    Meqë ata heshtin, ne pyesim publikisht:
    Këto janë pyetjet që Ali Ahmeti, BDI dhe partnerët e tij evitojnë t’u përgjigjen.
    Pse familja e Ali Ahmetit bleu aksione pikërisht nga Sasho Mijallkov? Cila është kjo lidhje e fshehtë dhe çfarë borxhi po i shlyente Ahmeti njeriut që për vite të tëra i shtypi shqiptarët?
    Pse po ato aksione iu shitën bankës së regjimit të Aleksandar Vuçiçit? A është BDI vetëm ndërmjetës për pastrimin e parave të ndyra të boshtit Shkup–Beograd?
    Çfarë mori Ali Ahmeti në këmbim? Cili është çmimi për instalimin e “botës serbe” në Maqedoni dhe shitjen e interesave shqiptare?
    A është ky ai “fronti evropian”? Front me paratë e Mijallkovit dhe kapitalin e Vuçiçit? Vallë kjo është e ardhmja që u ofroni shqiptarëve?
    Dhe në fund, e pyesim Ali Ahmetin, por edhe Ziadin Selën dhe Arben Taravarin: A bashkëpunoni të gjithë me Aleksandar Vuçiçin apo Ali Ahmeti është vetëm zbatues i marrëveshjeve tuaja të përbashkëta?
    Të nderuar,
    Heshtja e tyre është përgjigje.
    Ata nuk mund të mbrohen, sepse janë kapur në flagrancë në krim dhe tradhti.
    BDI nuk është parti e shqiptarëve.
    BDI është kompani private për pasurim, që tani shërben si degë e interesave serbe në Maqedoni.
    Koha e gënjeshtrave ka mbaruar.
    E vërteta është para jush.
    Është koha e përgjegjësisë.