Kosovë Lajme

Çitaku: Kosova ka hyrë në territor të pashkelur, sulmet ndaj drejtësisë dhe mediave janë marrëzi politike

Screenshot

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke thënë se Kosova ka hyrë në një situatë të paprecedentë.

    Ajo theksoi se nuk ka ndodhur asnjëherë më parë që kryeministri nga foltorja e Kuvendit të sulmojë me emër e mbiemër prokurorët që merren me rastet e korrupsionit.

    “Atëherë pata menduar se nuk mund të shkojë përtej kësaj, por çfarë kemi parë me vite, mirëpo në mënyrë të intensifikuar posaçërisht tani, muajve të fundit, janë sulmet e sinkronizuara kundër Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, tha Çitaku në emisionin Rubikon në Klan Kosova.

    Sipas saj, sulmet e eksponentëve të qeverisë kanë shënjestruar edhe fusha të tjera.

    “Kemi parë sulme me emër e mbiemër nga eksponentët më të lartë të qeverisë kundër medieve, kundër gazetarëve, kundër biznesmenëve, kundër sindikalistëve”, u shpreh ajo.

    Duke folur për situatën aktuale politike, Çitaku e cilësoi atë si një “marrëzi politike” të krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

    “Dikush që mendon racionalisht e ka vështirë të kuptojë se si mund të shkojë marrëzia politike deri në këtë pikë. Është marrëzi politike, papërgjegjësi dhe do të ishte për të qeshur sikur të mos ishte një parlament dhe një skenë politike e vërtetë. Është teatër i marrëzisë”, përfundoi ajo.