Kosovë Lajme

Haxhiu: Shoqëria civile në gjumë kur Lista Serbe po fyen gjithçka të republikës sonë

    Ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu, ka thënë se shoqëria civile ishte e gatshme të rreshtohej kundër Lëvizjes Vetëvendosje kur ajo e kundërshtonte Listën Serbe, duke vlerësuar se sot ndodhet në gjumë kur kjo e fundit po e fyen Republikën e Kosovës.

    Në një postim në Facebook ka shkruar se në zgjedhjet parlamentare 2025 patën insistuar që Lista Serbe të mos certifikohej.

    “Thamë, ndër të tjera, se nuk ka asnjë lloj distancimi, sidomos ndaj rastit të Banjskës. Reaguan gjithandej. Në zgjedhjet lokale, sërish insistuam që ajo të mos certifikohej. Reagime pati përsëri. Profilet e deputetëve të Listës Serbe po ashtu i pamë: secili më anti-Kosovë se tjetri, secili më paralel se tjetri. Dje, në hapje të fushatës, sërish të njëjtit fyen Kurtin, prisnin kohën për t’u ‘çliruar’ nga ai dhe thërrisnin ‘vëlla Millanin’. Kësaj radhe nuk pati reagime. Shoqëria civile, e gatshme kundër VV-së kur kjo kundërshtonte Listën Serbe, ndërkaq sot në gjumë kur kjo fyen gjithçka të Republikës sonë”, ka shkruar ajo.