Kosovë Lajme

Liderët opozitarë morën obligim të mos flasin për diskutimet në Ambasadën e SHBA-së

    Pak orë nga njoftimi i Ambasadës së SHBA-së për ndërprerjen e dialogut strategjik me Kosovën, udhëheqësit e tri partive deri tash në opozitë kanë takuar të ngarkuarën me punë, Anu Prattipati. Ndonëse janë shprehur të shqetësuar me situatën e krijuar pas veprimit të SHBA-së, nga takimi nuk është ndarë hollësi nga asnjëra palë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të shtunën se janë të obliguar të mos flasin për takimin që një ditë më parë kanë zhvilluar ai dhe liderë të tjerë partiakë me të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-së, Anu Prattipati.

    Përveç Haradinajt, në takim me Prattipatin ishin edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pak orë pasi Ambasada amerikane njoftoi për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën.

    “Ju kërkoj mirëkuptim, por s’mundem me fol për këtë takim. Ashtu është situata. Ju kërkoj mirëkuptim. Me duhet me kërku mirëkuptimin, nuk mundem me u deklaru, me u prononcu prej këtij takimi. Ashtu e kemi obligim. Kemi marrë obligim mos me u prononcu”, ka deklaruar Haradinaj për KOHË-n, pas tubimit hapës të fushatës zgjedhore në Prishtinë.

    Në lidhje me takimin që zhvilluan e obligimin që Haradinaj tha se kanë marrë, KOHA ka pyetur edhe Krasniqin e Abdixhikun. Por të shtunën, as ata e as zyrtarë të partive që udhëheqin nuk janë përgjigjur. Përgjigje të shtunën nuk kanë dhënë as nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

    Të premten, me vendimin e SHBA-së për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën u shprehën të shqetësuar krerët e të tri partive deri tash në opozitë. Nëpërmjet një deklarate, Partia Demokratike e Kosovës tha se të gjitha forcat politike properëndimore duhet të bashkohen dhe “t’i japin Kosovës një qeveri të përgjegjshme”.

    Ftesë për t’u bashkuar bëri edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkoi reflektim.

    Në intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kupchan e ka kualifikuar si çështje serioze pezullimin e dialogut, pasi ka vlerësuar se rajoni ka nevojë për më shumë e jo më pak angazhim të SHBA-së.

    “Në shumë aspekte, kjo është një shenjë pakënaqësie ndaj Qeverisë në Kosovë, e cila praktikisht ka qenë në detyrë që nga zgjedhjet në fillim të këtij viti. Por, po ashtu, është rezultat i një frustrimi të grumbulluar: janë dashur disa muaj për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit të Kosovës, tani Kurti fyen Gjykatën Kushtetuese. Para zgjedhjeve, Kurti ka marrë vendime për një gamë të gjerë çështjesh – nisur nga ndalimi i dinarit serb deri tek instalimi i kryetarëve shqiptarë në veri apo mosçuarja përpara e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ka një perceptim të gjerë këtu në Washington dhe në Evropë, se Qeveria në Kosovë nuk po ndihmon në përmirësimin e situatës”, ka deklaruar ai për REL.

    E njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, thotë se vendimi i SHBA-së përbën paralajmërim serioz për Kosovën dhe sinjalizon për humbjen e besimit nga aleati më i rëndësishëm ndërkombëtar i saj.

    Pavarësisht se mund të debatojmë mbi meritat ose jo të vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, një gjë është e qartë: ky vendim përbën një paralajmërim serioz për Kosovën dhe sinjalizon humbje besimi nga aleati më i rëndësishëm ndërkombëtar. Edhe nëse argumentohet se ky ka qenë një veprim i gabuar nga ana e Washingtonit, pasojat i vuan Kosova, si dobësimin e kredibilitetit në arenën ndërkombëtare dhe ngadalësimin e proceseve të integrimit euroatlantik. Megjithatë, ka ende hapësirë për reflektim”, ka thënë ai.

    Në lidhje me takimin që krerët opozitarë zhvilluan në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Çipa konsideron se ai ka qenë njoftues për vendimin që është marrë.

    “Vetë deklarata fillestare e Ambasadës e bën të qartë se vendimi është i ndërlidhur me kontekstin aktual qeveritar dhe dialogu politik vazhdon me aktorë dhe faktorë të tjerë. Në vetvete, ky dialog mbetet i rëndësishëm, por në një situatë të tillë thelbësore është që të gjithë aktorët politikë ta shohin këtë moment si një sfidë delikate për proceset ndërkombëtare të Kosovës, dhe jo thjesht si një mundësi për përfitime të shpejta politike ose për shfrytëzim në funksion të agjendave ditore”, ka deklaruar Çipa.