Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, ka propozuar kryetarin e kësaj partie, Albin Kurti, për kryeministër të Kosovës.
Konjufca tha se verdiktin e ka dhënë populli.
E kur jemi te qeveria jonë e ardhshme, më lejoni që ta propozoj për kryeminsitër para këtij Këshilli të Përgjithshëm kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti”, tha ai.
Ai tha se Kurti do të bëhet për herë të tretë kryeministër “sepse do ta kemi Qeverinë Kurti 3”.
Kurti s’ka marrë asnjë votë kundër nga Këshilli i Përgjithshëm, kësisoj ai është kandidati i VV-së për kryeministër të Qeverisë së re.
Sipas Kushtetutës së Kosovës nenit 95 paragrafi i 2, thuhet se kandidati për kryeministër,jo më vonë se 15 ditë pas emërimit paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.
Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në paragrafin 4 të këtij neni thuhet tutje se nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.