Opinione

Elvis Hoxha: Nga targat, dinarët dhe kriptovalutat, te shpëtimi i Listës Serbe, këta janë sot opozita që s’bëjnë tjetër veç bllokojnë Kuvendin!

    Shkruan Elvis Hoxha, studiues i filozofisë politike

    Doarsa Kica po na sqaron se shteti është vetëdije e jo impuls.

    Ca të tjerë na thonë se shteti nuk bëhet me libra.

    Ca na thonë se shteti nuk bëhet pa listën serbe.

    Ca na thonë se shteti nuk bëhet pa vëllezërit e kryeministrit.

    Ca të tjerë pretendojnë se për ta bërë shtetin duhet të japësh diçka.

    Ca na thonë se shteti nuk bëhet po nuk pati në Gjykatë Kushtetuese nja dy kriminelë serbë e ndonjë fallsifikator shqiptar.

    Të tjerë mendojnë se shteti bëhet me principata, ose dhe bastione.

    Ca mendojnë se shteti i mirë është ai që shet pasuritë dhe pronat publike te kushërinjtë e pushtetarëve.

    Ca të tjerë mendojnë se në veri të Ibrit zot shpie është Radojçiçi, e ca të tjerë që Ujmani nuk është emër i vlefshëm për ujëmbledhësin më të madh e më jetik të Kosovës.

    Ca na thanë se shteti malazez ka territor shtetëror e Kosova vetëm territor kadastral, veç për me i falë ca toka shqiptare shtetit fqinj.

    Ca të tjerë kërkuan që Fsk mos të ketë qasje në veri, madje thanë se Veriu është tokë e falur nga Serbia.

    Ca mendojnë se 4% serbë po vuajnë nga qeveria e Kosovës ashtu si populli i Kosovës nga pushteti i Milosheviçit.

    Kishte edhe nga ata që formuan listën serbe si përfaqësuese e Beogradit në Kuvendin e Kosovës.

    Por u gjetën edhe ca të tjerë për të sajuar me 5% serbë dhjetë komuna me shumicë serbe. Manastireve iu dhuruan dhjetëra hektarë.

    Kishte edhe nga ata që pasi i çarmatosën ushtarët e vërtetë e mbushën me ushtarë t’rrejshëm më të lavdishmen e ushtrive të historisë sonë, pastaj e kthyen në objekt gjykimi ndërkombëtar, por me fakte të sjella nga prokuroria serbe.

    Kishte nga ata që kërkuan ta shpallnin terroriste Lëvizjen Vetëvendosje, por shpëtuan dy herë Listën e terroristëve serbë nga mospjesëmarrja në zgjedhjet e Republikës së Kosovës.

    Ka edhe nga ata që ia garantuan targat dhe dinarët, kriminelët me kriptovalutat dhe kanabisin, strukturat paralele dhe zgjedhjet e institucioneve serbe mu në territor të Kosovës. Janë po këta që akuzojnë Albin Kurtin se nuk e njeh shtetin e Kosovës, tamam këta që kanë bërë qeveri gjithnjë me partinë beogradase të Kosovo-Metohija.

    KËTA JANË SOT NË OPOZITË. E vetmja gjë mund të bëjnë për momentin është të bllokojnë themelimin e Kuvendit. Si e tha Doarsa: shteti nuk është impuls i një populli, por vetëdije e një të pazarxheshe.
    Rruga Press