Lajme Maqedoni

Ndahet nga jeta mjeku i UÇK-së, Dr. Aliriza Osmani (Alushi) nga Kumanova

    Kumanovë – Pas një sëmundjeje ka ndërruar jetë mjeku specialist Dr. Aliriza Osmani – Aushi, një figurë e njohur nga Kumanova, i cili gjatë luftës së vitit 2001, së bashku me familjarë, shokë e miq, iu bashkua luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), duke u angazhuar si pjesë e ekipit mjekësor në zonën e lirë të Sllupçanit.

    Dr. Osmani do të kujtohet si mjeku që në kohë lufte me guxim dhe përkushtim shërbeu pranë ushtarëve të UÇK-së dhe banorëve civilë të zonës së lirë. Tanimë i ndjeri kishte kontribuar shumë edhe pas përfundimit të konfliktit të vitit 2001, me angazhimin e tij në institucionet shëndetësore të Kumanovës, fillimisht si drejtor i Spitalit të Qytetit dhe më pas si shef reparti, duke lënë pas një trashëgimi të vyer profesionale dhe humane.

    Figura e tij u shqua edhe gjatë pandemisë së COVID-19, kur dha një kontribut të madh me ndihmat dhe përkujdesjen e tij për pacientët. Duart e tij kanë shëruar qindra njerëz, duke fituar respektin dhe mirënjohjen e popullit.

    Lajmin për ndarjen nga jeta e ka konfirmuar i biri, Filonid Osmani, i cili në një postim në Facebook shkroi:
    “Të Allahut jemi dhe tek Ai do kthehemi! Sot ndërroi jetë babai im Aliriza Osmani. Varrimi do bëhet sot me datë 17.08.2025 me namaz të akshamit. Pusho i qetë në xhenet babi im i dashur.”/press7.tv