Lajme Maqedoni

Lulzim Nasufi dhe dega e Aleancës për Shqiptarët në Strugë largohen nga Ziadin Sela dhe refuzojnë kandidatin e imponuar Arsim Dalipi

    Strugë, Kryetari i Degës së Aleancës për Shqiptarët në Strugë, Lulzim Nasufi, ka njoftuar ngrirjen e aktivitetit politik të degës duke refuzuar të legjitimojë vendimin e kreut të partisë, Ziadin Sela, për të kandiduar Arsim Dalipin për kryetar komune pa pëlqimin e strukturës lokale.

    Në deklaratën publike, Nasufi theksoi se ky veprim nuk është vetëm një padrejtësi ndaj tij personalisht, por edhe një përbuzje ndaj mërgimtarëve, bashkëpunëtorëve dhe aktivistëve që sipas tij kanë mbajtur gjallë kauzën e Aleancës për Shqiptarët në Strugë gjatë viteve më të vështira.

    “Vendimi për të kandiduar dikë të imponuar, pa respektuar strukturat lokale, është një goditje e rëndë për bazën e partisë në Strugë. Ne nuk do të bëhemi pjesë e një procesi që injoron zërin e shumicës së anëtarëve,” deklaroi Nasufi.

    Ai sqaroi se ngrirja e aktivitetit nuk nënkupton tërheqje nga politika, por është një qëndrim parimor për të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin e degës. Sipas tij, komunikimi me qytetarët do të vazhdojë dhe në periudhën e ardhshme do të mendohet krijimi i një alternative të re për Strugën.

    Ky zhvillim pritet të sjellë tronditje në skenën politike lokale duke dobësuar mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët në këtë komunë strategjike./press7.tv

    https://www.facebook.com/share/v/1QSEqGkcBz/?mibextid=wwXIfr