Shkrimtari i njohur kosovar, akademik Rexhep Qosja, ka shprehur mirënjohjen e thellë për të gjithë ata që i qëndruan pranë pas ndarjes nga jeta të vajzës së tij, Editës, më 28 korrik. Në një mesazh falënderues, ai thekson dhembjen e madhe familjare dhe vlerëson ngushëllimet e shumta që kanë ardhur nga mbarë trojet shqiptare dhe personalitete të ndryshme. “Mos paçi pikëllime të këtilla kurrë!”, përmbyll ai mesazhin prekës. (INA)
Postimi plotë:
F A L Ë N D E R I M
Me 28 korrik, pas një kohe të gjatë të mbushur me dhembje e dhembshuri, me vuajtje e mundime, me sprova e pafuqi, humbëm të dashurën, të shtrenjtën, të pazëvendësueshmen, pjesën e shpirtit e të zemrës sonë, bijen time Editën, të mirën, të urtën, të prajshmen, zemërbardhën, fisniken, nënën e Valjetit, të Donikut, të Lironës, gjyshen e Rinesës e të Lizës dhe motrën e Violës sonë.
Këto ditë, kur pushuan dhembjet e Editës, kur ato dhembje na i la neve, janë ditë jo të lehta, janë ditë të rënda për ne, janë ditë që mos u provofshin nga askush.
Por, në këto ditë dhembjeje e pikëllimi, na e hapën derën e na e ngushëlluan zemrën e mendjen numër i madh njerëzish – farefis, miq nga të gjitha trojet shqiptare, dashamirës të përhershëm, kolegë fisnikë, fqinjë nga afër e nga larg, por edhe një varg institucionesh kulturore, kombëtare, politike, një vargu krijuesish të arteve e të shkencave, të cilat na e lehtësuan e na e zbutën, aq sa është mundshme në këto raste, humbjen tonë të madhe, kurrë të harrueshme.