Botë Lajme

Arrestimet e shqiptarëve në Serbi, reagon Gjermania

    Ministri gjerman i Shtetit, Gunther Krichbaum, ka deklaruar se Gjermania po i ndjek me kujdes arrestimet e fundit të disa qytetarëve shqiptarë në Serbi, përfshirë edhe arrestimin e ndihmësdrejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Igor Popoviq, në territorin e Kosovës.
    Pas një takimi me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, Krichbaum ka theksuar se çdo arrestim duhet të jetë i justifikuar dhe proporcional.
    Ai ka kërkuar nga qeveria e Serbisë që të respektojë procedurat ligjore dhe të garantojë një proces të drejtë gjyqësor, në përputhje me marrëveshjet e dialogut, të cilat parashohin se rastet penale për vepra të kryera në Kosovë duhet të trajtohen kryesisht në Kosovë.
    “Ne vazhdojmë ta monitorojmë nga afër arrestimin e ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Çdo masë e heqjes së lirisë duhet të jetë e justifikuar dhe proporcionale. Po ashtu po e monitorojmë nga afër arrestimin e shtetasit kosovar Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe dhe presim që Serbia të sigurojë plotësisht dhe shpejt zbatimin e procedurave ligjore, të respektojë të drejtat themelore dhe të garantojë proces të drejtë ligjor – në përputhje me Marrëveshjen e Dialogut për drejtësinë”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Punë të Jashtme të Gjermanisë.

    Ministri gjerman u ka bërë thirrje të dyja palëve që të rikthejnë angazhimin e plotë në procesin e dialogut dhe të mundësojnë lëvizjen e lirë dhe të sigurt për negociatorët dhe ekipet e tyre.
    Ai gjithashtu ka kërkuar përmbajtje në deklaratat publike, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së qetësisë në këtë fazë delikate të procesit.
    “Gjermania është e gatshme të mbështesë të dy shtetet në avancimin e një procesi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe paqësor të normalizimit”, thuhet tutje në komunikatë.
    Krichbaum ka përsëritur se Gjermania e konsideron Ballkanin Perëndimor si pjesë të Bashkimit Evropian dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet një përparësi thelbësore.
    Ai theksoi se respektimi i vlerave dhe standardeve evropiane është detyrim për të dyja palët.