Arben Fetai nga VLEN ka komentuar shpalljen e kandidaturave për zgjedhjet lokale të ASH-Taravarit.
Fetai thotë se kandidatët në fjalë janë kandidatë të BDI-së, pasi do të garojnë së bashku, me lista të përbashkëta.
“Ai vazhdimisht ka thënë se Ali Ahmeti ia jep gjashtë komuna, doli se i dha pak më pak. Ia dha katër. Emrat kanë qenë të ditur, i kemi ditur qysh në dhjetor-mars, që këta emra do të dalin, me përkrahje të BDI-së. Pra këta janë kandidatë të BDI-së, do të ketë lista të përbashkëta me BDI dhe shkrirje të Arben Taravarit në BDI. I urojmë fat Arben Taravarit, por e shohim se fundi i tij do të jetë i njëjtë me atë të z. Sela një vit para tij. Është për keqardhje që dy kryetarë të ASH-së përfundojnë në prehrin e kundërshtarit tonë kryesor për dy dekada me radhë”, tha mes tjerash Fetai, duke shtuar se liderët e VLEN-it do të mblidhen sot, për të finalizuar emrat e kandidatëve nga VLEN për zgjedhjet lokale.